VAR, ndërprerje dritash dhe gola, Tirana e Teuta ndajnë nga një pikë

Nga A2 CNN
2 Shtator 2023, 19:07 | Futboll
VAR, ndërprerje dritash dhe gola, Tirana e Teuta ndajnë nga një

Nuk ka shkuar më shumë se një barazim 2-2 përballja mes Teutës dhe Tiranës në javën e dytë të Kategorisë Superiore.

Të dy ekipet dhuruan një ndeshje mjaft të bukur, me raste pafund, gola dhe emocione, por fundi i 90 minutave i çoi në dhomat e zhveshjes me nga një pikë.

Tirana kaloi e para në avantazh me anë të Hasanit, ende pa kaluar 5 minuta lojë, por euforia e kryeqytetasve nuk zgjati shumë. Vendasit barazuan 5 minuta më vonë nga pika e penalltisë, pas ndërhyrjes së VAR-it. Më pas, ishte Gjinollari ai që kaloi në avantazh Teutën në minutën e 21.

Në minutën e 37 pati dhe një moment ndërprerje të lojë për disa momente, pasi u ndërpre energjia në stadium, por fatmirësisht, gjithçka u rregullua shumë shpejt.

Pjesa e dytë e takimit ishte më e mirë për Tiranën, e cila krijoi më shumë raste. Najdovski arriti të barazonte shifrat në minutën e 59 falë një këmbëngulje të tij në zonë.

Minutat e mbetura shënuan raste për të dyja palët, por shënjestrimi i portës la për të dëshiruar.

Tashmë pas 2 javësh, Kategoria Superiore udhëhiqet nga Skënderbeu me pikë të plota. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos