Ndërron jetë nobelisti shqiptar që shpiku Viagrën

Nga A2 CNN
6 Shtator 2023, 10:21 | Aktualitet
Ndërron jetë nobelisti shqiptar që shpiku Viagrën

Ka ndërruar jetë në moshën 87-vjeçare, mjeku farmakolog shqiptaro-amerikan, Ferid Murad, i njohur si një ndër krijuesit e Viagrës.

Lajmi u dha nga një i afërm i mjekut të njohur, i cili shkroi në rrjetet sociale se Ferid Murad ndërroi jetë në shtëpinë e tij në Menlo Park.

Me origjinë nga Gostivari, Ferid Murad lindi në Whiting të Indianas, në vitin 1936. Ai studioi në Universitetin DePauw në Greencastle të Indianas, ku u diplomua në vitin 1958, ndërsa mori titullin doktor shkencash në Universitetin Case Western Reserve në Cleveland të Ohios.

Në fillim të viteve ’70, Ferid Muradi filloi kërkimet mbi rolin e oksidit nitrik në sistemin kardiovaskular dhe zbuloi se ai luan një rol thelbësor në relaksimin e enëve të gjakut dhe përmirësimin e qarkullimit.

Medikamenti u patentua në vitin 1996 dhe u aprovua për përdorim për çrregullime erektive nga Administrata për Ushqim dhe Medikamente më 27 mars të vitit 1998, duke u bërë pilula e parë që do të trajtonte këto probleme.

Ky zbulim çoi në zhvillimin e ilaçeve të reja për trajtimin e sëmundjeve të zemrës dhe sëmundjeve të tjera kardiovaskulare dhe i siguroi atij Çmimin Nobel në vitin 1998. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos