“Vendet kandidate të dyfishojnë punën”, KE konfirmon qëndrimin: Në BE vetëm me plotësim kushtesh

Nga A2 CNN
7 Shtator 2023, 13:30 | Politikë
“Vendet kandidate të dyfishojnë punën”, KE konfirmon

Anëtarësimi në Bashkimin Europian nuk do të ndodhë pa plotësimin e kushteve. Qëndrimin e sqaroi Komisioni Europian pas deklaratave optimiste për përshpejtimin e procesit të zgjerimit me afatin 2030 të përcaktuar nga Këshilli për pranimin e shteteve të reja anëtare. Në Bruksel janë të gatshëm për të përqafuar idetë dhe propozimet e reja për fuqizimin e BE-së, ndërsa për këtë kërkohet një punë e dyfishtë si nga vetë blloku ashtu edhe nga vendet kandidate.

“Qëndrimi ynë është se zgjerimi është një proces i bazuar në meritë dhe se vendet kandidate do t’i bashkohen Unionit Europian kur të jenë gati për t’u anëtarësuar. Ne si Komision Europian fokusohemi në detyrën e rëndësishme të mbështetjes së shteteve kandidate për tu përgatitur për të ecur përpara duke bërë progres në negociata apo për t’i hapur ato, si dhe për përmbushjen e kushteve”, tha zëdhënësja e Komisionit Europian Dana Spinant.

“Siç e kemi thënë tashmë që zgjerimi është një proces i bazuar në meritë. Kemi kritere dhe kushte të qarta, që siç i dini janë të përcaktuara në traktatin e Bashkimit Europian por edhe pranuara në takimet e nivelit të lartë nga liderët e BE-së. Sigurisht principi është që vendet mund t’i bashkohen BE-së kur të kenë përmbushur kushtet”, u shprehe zëdhënësja e KE, Ana Pisonero.

Javën e kaluar, komisioneri për zgjerimin, Oliver Varhelyi, njoftoi se gjatë tetorit do të prezantohen propozime të reja dhe të guximshme lidhur me përshpejtimin e procesit të zgjerimit, me një fokus të veçantë Ballkanin Perëndimor. Ndërsa shefi i diplomacisë së jashtme Josep Borrell, bëri me dije se po organizohet një takim mes përfaqësuesve të Bashkimit Europian dhe Ballkanit Perëndimor në fund të shtatorit, për të shqyrtuar situatën në rajon dhe procesin e zgjerimit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos