Liderët e grupit të 20 ekonomive më të mëdha në botë mblidhen në Nju-Delhi të Indisë për takimin e tyre vjetor, teksa negociatorët po luftojnë për të sheshuar dallimet mbi luftën në Ukrainë, në përpjekjen për të ndërtuar konsensus për një samit të suksesshëm.
Lypësit, majmunët dhe qentë e shumtë janë zhvendosur nga rrugët e kryeqytetit indian, ndërsa bizneset zyrat dhe shkollat u mbyllën në distriktin qendror, si pjesë e masave të sigurisë përgjatë samitit dyditor. Por takimi rrezikon të minohet nga dallimet e thella mbi luftën në Ukrainë, duke penguar përparimin në çështje të tilla si siguria ushqimore, shqetësimi për borxhin dhe bashkëpunimi mbi ndryshimet klimatike.
Samiti pritet të dominohet nga perëndimi dhe aleatët e tij, teksa liderët kinezë dhe rusë, Xi Jinping dhe Vladimir Putin nuk do të marrin pjesë. Presidenti i Këshillit Europian, Charles Mishel, deklaroi në prag të samitit se arritja e një konsensusi mbi një deklaratë të përbashkët do të jetë e vështirë.
“Pozicioni i BE-së është i qartë si kristali. Ne dënojmë agresionin rus dhe mbështesim sovranitetit territorial të Ukrainës. Mbështesim formulën e paqes të propozuar nga presidenti Zelensky dhe do të jemi aktiv për t’i mbrojtur këto parime dhe vlera në formate të ndryshme, përfshirë G20. Është e vështirë të parashikohet nëse do të jete e mundur një marrëveshje mbi deklaratën e përbashkët”, tha Charles Michel.
E megjithatë, samiti do të jetë takimi i nivelit më të lartë i mbajtur ndonjëherë në Indi, me presidentin amerikan Joe Biden, kancelarin gjerman Olaf Scholz, liderin francez Emmanuel Macron, mes atyre që kanë konfirmuar pjesëmarrjen. Kryeministri britanik Sunak do t’i bëjë thirrje homologut indian, Narendra Modi të dënojë pushtimin rus dhe të përdorë ndikimin e tij për t’i dhënë fund luftës, siç bëri të ditur Financial Times, ditën e enjte. Qëndrim i ashpërsuar ndaj luftës bëri që të mos kishte marrëveshje për asnjë çështje të vetme në takimet ministeriale gjatë presidencës indiane të G20-s, gjatë këtij viti. (A2 Televizion)
