Merr peng të dashurën 17-vjeçare dhe e dhunon, arrestohet i riu në Tiranë

Nga A2 CNN
10 Shtator 2023, 08:16 | Kronikë
Merr peng të dashurën 17-vjeçare dhe e dhunon, arrestohet i riu

Një 23-vjeçar ka marrë peng për disa orë të dashurën e tij 17-vjeçare.

Mësohet se i riu i identifikuar me inicialet B. Ll., banues në Xhafzotaj, Durrës ka marrë me forcë në makinën e tij vajzën dhe ka ushtruar dhunë ndaj saj.

Për pasojë, pas denoncimit të bërë, Policia ka bërë të mundur arrestimin e 23-vjeçarit.

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, pas njoftimit të marrë se një shtetas i kishte hequr lirinë për disa orë, si dhe kishte ushtruar dhunë ndaj një 17-vjeçareje, menjëherë kanë organizuar punën për kapjen e autorit të dyshuar dhe vënien e tij përpara përgjegjësisë ligjore.

Si rezultat i veprimeve të shpejta të shërbimeve të Policisë, është kapur në Xhafzotaj, dhe vënë në pranga autori i dyshuar, shtetasi B. Ll., 23 vjeç, banues në Xhafzotaj, Durrës.

Nga veprimet hetimore dyshohet se 23-vjeçari, ka marrë me forcë në automjetin e tij duke i hequr lirinë për disa orë, si dhe ka ushtruar dhunë ndaj të dashurës së tij 17-vjeçare.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos