Në 22 vjetorin e sulmeve terroriste të 11 shtatorit në Nju Jork, janë identifikuar dy prej rreth 3 mijë njerëzve që humbën jetën në Qendrën Botërore të Tregtisë.
Njoftimi vjen nga autoritetet amerikane pas shqyrtimeve të avancuara të testeve të ADN-së. Bëhet fjalë për një burrë dhe një grua, përkatësisht viktima e 1648 dhe e 1649 e sulmeve në Kullat Binjake, që tashmë nuk janë më.
Edhe pse kanë kaluar 22 vite nga ngjarja tragjike, nuk është bërë akoma identifikimi i 1104 personave. Kur kulla jugore dhe më pas ajo veriore e World Trade Center, u shembën pas sulmeve me dy avionët e rrëmbyer nga terroristët e Al Kaedës, vala e madhe e pluhurit, zjarrit dhe hekurit shkatërrimtar ishte aq e fuqishme sa nuk u gjetën kurrë gjurmë ADN-je për qindra viktima.
Por 11 shtatori i vitit 2001, po vijon ende që të marrë jetë njerëzish në Nju Jork. 43 emra të rinj u shtuan në memorialin kushtuar viktimave të Kullave Binjake. Ata u vendosën në sektorin e zjarrfikësve që u prekën nga sëmundje të ndryshme të lidhura me punën e tyre humanitare në inertet e dëmshme që mbetën pas rrëzimit të Kullave Binjake.
Nga sulmet terroriste më vdekjeprurëse në territorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës humbën jetën 331 zjarrfikës në total, prej të cilëve një numër i konsiderueshëm nga tymi helmues që thithën gjatë ndërhyrjes për të shpëtuar jetë. (A2 Televizion)
