Të mbijetuarit e tërmetit më vdekjeprurës në më shumë se 6 dekada në Marok, po luftojnë për të gjetur ushqim, ujë dhe strehim, teksa kërkimet për personat e zhdukur vijojnë në fshatrat e thella. Bilanci i viktimave i ka tejkaluar 2100 dhe pritet të rritet më tej, kurse të plagosurit janë afërisht 2500, sipas televizionit shtetëror. Për të tretën natë radhazi, shumë persona qëndruan në qiell të hapur, ndërsa ekipet e shpëtimit përballen me sfida për mbërritjen në fshatrat më të prekura në zonat malore, ku shumë banesa thuhet të jenë shkatërruar.
“Isha në krevat. Tërmeti ndodhi aq shpejt dhe ishte i papritur, por ne mundëm të dilnim para se shtëpia të shembej. Tani jemi të pastrehë, nuk kemi ku të shkojmë. Po presim për ndihmë”, thotë një banore e Marrakeshit.
Pamjet e një kishe të shekullit të 12-të, e shndërruar në rrënoja, dëshmojnë përmasat e dëmeve të trashëgimisë kulturore, me tërmetin që shkatërroi një pjesë të qytetit të vjetër të Marrakesh, trashëgimi botërore e UNESCO-s. Banorët po gërmojnë me duar nëpër rrënojë për gjetjen e të mbijetuarve apo viktimave, teksa në shumë zona, ndihma nuk ka mbërritur ende.
“Ka ende persona të varrosur në këtë shtëpi. Ata nuk morën ndihmën që i nevojitej dhe vdiqën. Unë shpëtova fëmijët e mi dhe po përpiqem të gjej ndonjë ndihmë për ta”, thotë një tjetër banor. Histori drithëruese të familjeve të shuara nga lëkundja e dhunshme e tokës, vijnë nga rrënojat e shtëpive të dikurshme, nga ku thirrjet e dëshpëruara për ndihmë, mbeten të padëgjuara.
Hamidi dhe Hena, rrëfejnë se tërmeti me magnitudë 6.8 i kishte vrarë djalin i cili kishte qenë duke darkuar në tryezë. Të mbijetuarit ankohen se nuk kanë ujë, ushqim dhe energji. Ushtria është e mobilizuar në operacionin e kërkim-shpëtimit duke ngritur edhe tenda për të pastrehët. Sakaq, mbështetje po ofrohet edhe nga jashtë, me një sërë vendesh, si Spanja, Britania e Madhe, Katari, apo Emirate e Bashkuara Arabe që kanë dërguar ndihma. (A2 Televizion)
                                          
						                   
						                   
						                   
						                   
						                   
						                   
						                   
						                   
						                   