Në përkujtim të 25-vjetorit të ndarjes nga jeta të Azem Hajdarit, Partia Demokratike e Shqipërisë organizoi një ceremoni në “Varrezat e Dëshmorëve”, me pjesëmarrjen e Sali Berishës dhe Grupimit “Dhjetor ‘90”. Të pranishëm ishin familjarë të Azem Hajdarit dhe deputetë të PD nga grupi i Rithemelimit dhe grupimit Bardhi.
Kreu i PD-së së Rithemelimit, Sali Berisha, vendosi një kurorë pranë varri të Azem Hajdarit dhe u përul në nderim të veprave të tij. Në një deklaratë për media, Berisha e cilësoi Hajdarin “një kushtrim të gjallë të shqiptarëve që duan të ngrihen dhe të përmbysin diktaturën e drogës apo të krimit të qeverisë Rama”.
Ndërkohë, kryetari i PD-së zyrtare, Lulzim Basha, i cili nuk ndodhet në Tiranë, e kujtoi me anë të një postimi, duke e quajtur Azem Hajdarin simbol të vullnetit të shqiptarëve në përballjen me regjimin komunist dhe ngadhënjimin e lirisë mbi diktaturën. (A2 Televizion)
