Zyrtarët e EULEX-it dhe të Prokurorisë Speciale në Kosovë kryen kontrolle në banesat e heronjve të luftës së UÇK-së në Prishtinë. Familjarët e dëshmorëve Bahri dhe Fahri Fazliu, njoftuan se gjatë bastisjeve, janë marrë disa dokumente dhe se operacioni është kryer me urdhër të Gjykatës Speciale në Hagë.
“Sigurisht janë të porositur të marrin diçka, për arsyeje se kjo ka qenë një bazë e luftës, ka qenë bazë e vjetër prej viteve 1988-1989… Telefonin tim personal dhe të djalit i kanë sekuestruar, bile të djalit nuk ishte e nevojshme, dhe laptopin tim e sekuestruan. Dokumente nuk ka pas çfarë të marrin. Nuk kanë marrë në pyetje”, tha një nga familjarët.
“Nuk jam lejuar të hy brenda. Brenda gjendet Fadili, Bahria, Gzimi, Majlinda (motra) që është liruar se është në punë dhe të tjerët janë të mbyllur brenda në banesë. Telefonat i kanë të gjithë të mbyllur”, shtoi Fahri Fazliu.
Avokati i familjes, Artan Qerkini, tha se gjatë operacionit nuk është sekuestruar asnjë provë e vetme dhe kërkoi nga Gjykata Speciale që të tregojë më shumë kujdes në lëshimin e urdhrave për kontrolle.
“Nuk kanë kërkuar asgjë specifike, ata i kanë marrë disa dokumente të cilat janë publike, realisht nuk ka pas nevojë fare që te bastiset shtëpia për të ardhur deri te ato dokumente, sepse janë dokumente publike. Ato dokumente kanë mundur të arrihen me një kërkim të thjeshtë në institucionet publike. Trajtimi nga ata ka qenë korrekt, mirëpo me mënyrën e bastisjes kemi shumë vërejtje, sepse me bastisje cenohet privatësia”, u shpreh avokati.
Çështja për të cilën po punon Prokuroria Speciale me urdhër të gjykatës së Hagës nuk është bërë e ditur. (A2 Televizion)