Pas Greqisë, stuhia Daniel gjunjëzon Libinë duke shkaktuar përmbytje katastrofike. Bilanci i viktimave është dramatik, me rreth 2 mijë persona të vdekur dhe mbi 10 mijë të tjerë qe besohet të jenë zhdukur sipas Kryqit të Kuq.
Sipas qeverisë me bazë në Bengazi në lindje të vendit, vetëm në qytetin e Dernas, që ka përjetuar shkatërrimin më të madh, të paktën 6 mijë persona rezultojnë të humbur.
Shifrat fillestare që po marrim nga Kryqi i Kuq në Libi për personat e zhdukur, i afrohen 10 mijëshit. Bilanci i viktimave është shumë i lartë dhe mund të arrijë me mijëra.
Stuhia preku tokën në verilindje të Libisë të dielën duke shkatërruar rrugë, godina dhe diga në qytetin e Dernës, e duke goditur edhe zona të tjera përgjatë bregdetit përfshirë qytetin e dytë më të madh të Libisë, Benghazi.
Shembja e dy digave në Derna, bëri që lagje të tëra të zhdukeshin nën ujë. Situata përshkruhet si katastrofike, me shumë trupa të shtrirë nëpër rrugë. Sakaq, thuhet se familje të tëra kanë mbetur të bllokuara në banesa dhe se shumë viktima janë nën rrënoja.
Autoritetet më lindje shpallën gjendjen e jashtëzakonshme, shtetrrethim e mbyllën shkolla, dyqane e porte. 7 pjesëtarë të ushtrisë u deklaruan të humbur gjatë operacionit të kërkim-shpëtimit. Libia e drobitur nga vite të tëra paqëndrueshmëri civile ka dy qeveri rivale, me atë të Tripolit që njihet edhe nga ndërkombëtarët. (A2 Televizion)
