Kryeministri Edi Rama e quajti Shqipërinë “shembullin e veçantë të mosabuzimit me komunitetet etnike të saj të pranishme në vende të tjera”. Në një postim në Facebook ku foli për drejtimin nga Shqipëria të Këshillit të Sigurimit në OKB, Rama tha se këtë qasje të vendit tonë, shumë fqinjë e marrin si të mirëqenë.
“Ne kurrë nuk nxisim trazime etnike as në shtetet fqinje, as mes shteteve fqinje, duke prekur ndjenja që mund të ushqejnë kundërshti e të ndezin konflikte në këtë lagje të Europës, ku jemi të gjithë të dënuar të jetojmë së bashku në jetë të jetëve dhe të detyruar të bëjmë çmosin që t’u lëmë fëmijëve tanë një hapësirë mirëkuptimi, tolerance, paqeje”, shkroi Rama.
“Për ne në Tiranë, komunitetet etnike të shpërndara në të gjithë Ballkanin Perëndimor janë një urë miqësie dhe bashkëpunimi, ashtu sikundër shqiptarët e vendosur në shumë shtete janë bartësit e një ardhmërie në paqe me të gjithë, jo fitila për t’u ndezur në emër të arsyeve të mosarsyes së të shkuarës, me të cilën ushqehen rëndom këtyre anëve politika dritëshkurtra të radhës”.
“Nuk ka dyshim se disa rreth e rrotull, po edhe disa prej aleatëve e partnerëve tanë ndërkombëtarë e marrin nganjëherë si diçka të zakonshme, të mirëqenë e për këtë arsye thuajse të parëndësishme, qasjen tonë emancipuese për ndërtimin dhe ushqyerjen e marrëdhënieve miqësore me të gjithë. Jo se kjo na bën të dyshojmë në këtë qasje tonën, e cila është një qasje sa pragmatike aq edhe thelbësisht vlerore, për një bashkësi europiane si e jona në Shqipëri, po ja që në ndonjë rast apo moment u duhet kujtuar të gjithëve se ne japim besim, respekt, miqësi, por askush asnjëherë nuk duhet të na marrë për qorra, shurdhë apo memecë. Ne mirëpresim kritika e ndihmë për t’u përmirësuar nga gjithkush, po leksione bashkëjetese e respekti për etnitë e tjera, Shqipërisë nuk i jep dot askush”.
Në javët e fundit, Shqipëria është kritikuar, kryesisht nga Greqia, për mbajtjen në qeli të kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri, i cili akuzohet për korrupsion zgjedhor. Zyrtarë të ndryshëm të Athinës e kanë vizituar Belerin në burg, ndërsa nuk kanë munguar edhe kërcënimet se kjo çështje mund të pengojë rrugëtimin e integrimit europian të vendit. Javën e kaluar, partia në pushtet, Nea Dimokratia, sponsorizoi një rezolutë në asamblenë e Partisë Popullore Europiane, ku kërkohej lirimi i Belerit.
Gjykata e Posaçme Kundër Krimit dhe Korrupsionit ka caktuar datën 14 shtator për seancën e parë ndaj Belerit. I izoluar në qeli prej 12 majit i është drejtuar gjykatës së lartë me dy rekurse, pranimi i të cilëve do t’i mundësonte lirinë dhe betimin si kryebashkiak. Në një prej tyre, Beleri kërkon vlerësimin të paligjshëm të arrestit të tij në flagrancë dhe prishjen e vendimit të Gjykatës së Vlorës për përcaktimin e masës së parë “arrest në burg” ndaj tij.
Në rekursin tjetër, kryebashkiaku i zgjedhur kërkon të shpallen të paligjshme përgjimet e kryera nga Prokuroria e Vlorës për lejimin e përgjimit të fshehtë fotografik audio e video të personit të infiltruar me persona të tjerë, të paraqitura si prova në dosje.
Në hetimin e nisur nga Prokuroria e Vlorës e më pas i kaluar për kompetencë në SPAK, Beleri akuzohet t’i ketë ofruar personit të infiltruar nga 50 euro për çdo person që do ta votonte në zgjedhje, si edhe një shpërblim prej 300 euro për të. Për rrjedhojë, ai nuk mund të betohet si kryebashkiak dhe rrezikon të humbasë mandatin e fituar më 14 maj. (A2 Televizion)
