Takimi i dytë mes deputetëve të opozitës që mbështesin Sali Berishën dhe Gazment Bardhin rezultoi më i tkurrur në numra, pasi këtë herë ishin vetëm 32 të pranishëm, por prodhoi më shumë rezultate se tryeza e parë e pajtimit që u mbajt një javë më parë.
Mbledhja këtë herë u mbajt në ambientet e Kuvendit, ku pas më shumë se 90 minutash diskutime u arrit vendosja e një agjende të unifikuar parlamentare.
Gazment Bardhi në emër të deputetëve të pranishëm njoftoi se janë mbledhur firmat për ngritjen e tre komisioneve parlamentare, koncesionet në shëndetësi, rrjedhjen e të dhënave të TIMS dhe abuzimin e zyrtarëve me pushtetin.
“Janë mbledhur të gjitha firmat në mbledhjen e sotme dhe nesër do të depozitohen kërkesat për ngritjen e Komisioneve Hetimore”, tha Bardhi.
Deputetët e opozitës do të dorëzojnë edhe një paketë ligjore me në fokus qytetarin.
“Së pari vendosëm të propozojmë një paketë ligjore për të nisur punën për rritjen e pensioneve, ndihmës ekonomike, minimumi jetik. Sa i takon llogaridhënies së qeverisë, do të ketë seanca dëgjimore në Komisione për çështje me interes për publikun. Kemi unifikuar të gjitha qëndrimet për rëndin e ditës në seancën e radhës”, shtoi Bardhi.
Edhe Sali Berisha konfirmoi unifikimin e qëndrimit mes dy grupeve demokrate dhe paralajmëroi Ramën për llogaridhënie para qytetarëve.
“U diskutua gjerësisht mbi drejtimin absolutisht disfunksionial në kundërshti me ligjin, me Kushtetutën të Parlamentit, shkelmimin nga ana e institucioneve të vendit të të drejtave elementare të deputetëve për t’u informuar dhe informuar zgjedhësit e tyre. Braktisjen që i bën Edi Rama Parlamentit. Për të gjitha këto grupi parlamentar, deputetët e opozitës do të japin përgjigjet e merituara”, u shpreh ish-kryeministri.
I pyetur nga gazetarët për detyrën e re që Këshilli i Evropës i caktoi Lulzim Bashës si raportues për konfiskimin e aseteve ruse, Berisha zgjodhi ta kalojë me humor.
“Ai është Këshilli i Europës, jo Bashkimi Europian, por eksperiencë me rusët ka ai. Kaq mund të them. Mirupafshim”. (A2 Televizion)
