Çështja e kreut të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike ka përplasur sërish në Kuvend, PD-në zyrtare dhe grupimin e deputetëve të përfaqësuar nga Gazment Bardhi.
Me kërkesë të këtij të fundit, kryeparlamentarja Lindita Nikolla lexoi një kërkesë të dërguar nga grupimi i Bardhit dhe fill pas saj edhe një shkresë të dërguar nga grupi i Lulzim Bashës.
Grupi i Bashës njoftoi ndryshimin e kryesisë. Më konkretisht, me propozim të kryetarit Lulzim Basha, Flutura Açka është caktuar nënkryetare e autorizuar për përfaqësimin e Grupit Parlamentar në mungesë të kryetarit të grupit, Kreshnik Çollaku nënkryetar, Arbi Agalliu sekretar dhe Oriola Pampuri, zëdhënëse.
Nga ana e saj, kryeparlamentarja Nikolla theksoi se ajo nuk mund të zgjedhë se cili është kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike.
“Siç e kam thënë, kam kërkuar konsulencë juridike nga Shërbimi i Legjislacionit dhe këshilltarët juridikë.”
Nëse do të jetë nevoja, Nikolla tha se do t’i drejtohet edhe Këshillit për rregulloret dhe mandatet. (A2 Televizion)
