Ministrat e rinj betohen para Presidentit, opozita paralajmëroi se do ta çojë në Kushtetuese dekretimin e Metes

Nga A2 CNN
14 Shtator 2023, 15:45 | Bota
Ministrat e rinj betohen para Presidentit, opozita paralajmëroi se do ta

Janë betuar para Presidentit Bajram Begaj pasditen e së enjtes dy ministrat e rinj të qeverisë Rama. Përpara Presidentit u betuan pas leximit të formulës së betimit: Ervin Mete, Ministër i Financave dhe Ekonomisë; Delina Ibrahimaj, Ministër i Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit.

Paraditen e së enjtes, parlamenti ka votuar shkarkimin e Delina Ibrahimajt nga detyra e ministrit të Financave dhe Ekonomisë. Ibrahimaj është shkarkuar me 105 vota pro, dhe asnjë kundër e abstenim. Po ashtu, gjatë kësaj seance është miratuar projektvendimi i Presidentit që emëron zonjën Ibrahimaj si ministre e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit. Në vend të Ibrahimajt, me 74 vota pro dhe 30 kundër është emëruar si ministër i Financave, Ervin Mete.

Ndërkohë, Gazmend Bardhi ngriti akuza ndaj Presidentit të Republikës se kishte dërguar në Parlament një dekret antikushtetues.

“Presidenti ka dekretuar një pozicionin e ministrit një zyrtar publik, i cili nuk mund të emërohej sepse ushtron një funksion tjetër publik. Shkarkimi i Metes, nga pozicioni në AMF, është bërë në seancën e së hënës. Pasi presidenti bëri dekretimin e tij si ministër.”

Duke iu drejtuar Nikollës, Bardhi theksoi se duhej të ishte kryeparlamentarja ajo që t’i kujtonte kreut të shtetit që “ka sjellë në Kuvend një dekret në kundërshtim me Kushtetutën.”

Ndërsa, deputetja demokrate Ina Zhupa ka paralajmëruar se do ta dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese dekretimin e ministrit Mete.

“Ervin Mete është në funksion anti-kushtetues. Presidenti ta kuptojë kur duhet të heshtë dhe kur duhet të flasë. Presidenti i Republikës bëri ministër kreun e AMF, Mandati i tij do të shkojë në Gjykatë Kushtetuese”.

Kujtojmë se disa ditë më parë kryeministri Rama njoftoi ndryshimin e 40% të kabinetit të tij qeveritar, duke lëvizur 7 ministra nga drejtimi i dikastereve përkatëse. Ministri Financave dhe Ekonomisë u bë Ervin Mete, në vend të Delina Ibrahimaj, që kalon ministre Shteti për Sipërmarrjen. Igli Hasani mer drejtimin e Ministrisë së Jashtme, në vend të Olta Xhaçkës që del nga kabineti.

Ogerta Manastirliu kalon te Arsimi, ndërsa në vend të saj te Shëndetësia shkon Albana Koçiu. Kthehet në Qeveri Anila Denaj, si ministre e Bujqësisë, ndërsa ministër Shteti për Pushtetin Vendor është caktuar Arbjan Mazniku. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos