Fyes dhe provokativ e ka cilësuar deputetja demokrate Dhurata Çupi, ligjin për rritjen e pagave të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Në një lidhje me Ditarin në A2 CNN ajo shprehu votën kundër të grupit të rithemelimit, pasi sipas saj 40% e popullsisë konsum më pak se 5 dollarë në ditë.
“Është fyese që sot t’u thuash shqiptarëve kur ne deputetet diskutojmë për hallet e shqiptarëve dhe emigracionin e madh, të diskutojmë që anëtarëve të GJK t’u bëhet paga 7 milionë e 700 mijë të vjetra. Është e papranueshme. Ne nuk mund të jemi pjesë e kësaj vendimmarrje. Ne kemi një Shqipëri të vjedhur e të abuzuar, ne kemi një popull të varfër. 40% e popullsisë me konsum ditor më pak se 5 dollarë dhe vetë anëtarët e Gjykatës Kushtetuese nuk duhet ta pranojnë rritjen e pagës në këtë nivel. Aq më tepër kur opozita i drejtohet kësaj Gjykate me kërkesa për pakushtetuetshmërinë e ligjeve që miraton kjo qeveri. Ka një pikëpyetje të madhe kjo vendimmarrje. Ne si opozitë kemi ngritur pretendimin se nëse qeveria e ka seriozisht që të rrisë pagat në sistemin e drejtësisë të bëjë një vendimmarrje të qartë ku e gjithë paketa të unifikojë pagat në sistemin e drejtësisë. Ky selektim nga qeveria është fyes dhe provokativ”.
Tallje të madhe e quajti Çupi edhe indeksimin e pensioneve që hyn në fuqi në tetor.
“Kjo është një tallje edhe më e madhe që në 10 vjet nuk rritet asnjë lek dhe sot që kanë interes të rrisin pagën e gjyqtarëve kushtetues. T’u rrisin njëherë pagën pastaj të shohin për t’ua bërë 7 milionë pagën një target grupi të drejtësisë”.
Ajo foli edhe për prioritetet e opozitës gjatë kësaj legjislature, ku në fokus do të jenë koncesionet.
“Ne kemi firmosur për ngritjen e komisioneve hetimore për sterilizimin, check up, laboratorët dhe hemodializa. Kemi të arrestuar zyrtarë të ministrisë për këto. Kemi kërkesë për komision hetimor, për sistemin TIMS. Kanë ndodhur ngjarje të rënda për të dhënat e qytetarëve. Prioritet tjetër janë pensionet dhe minimumi jetik. (A2 Televizion)
