
Tri apartamente janë djegur plotësisht dhe 13 të tjerë janë djegur pjesërisht, por mbeten të pabanueshëm. Ky është bilanci i pallatit në Tiranë, që u përfshi nga flakët, një ditë më parë.
Fotot nga brenda apartamenteve të djegura, të siguruara nga A2 CNN, tregojnë atë që ka mbetur pas zjarrit që fatmirësisht nuk shkaktoi viktima në njerëz.
Ende nuk ka një konkluzion për shkaqet e zjarrit në pallatin 10-katësh. Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Zjarrfikës, Shkëlqim Goxhaj, tha një ditë më parë se dyshohet se zjarri ka nisur në katin e dytë, dhe më pas i ndihmuar nga fasada ka mbërritur në katin e dhjetë.
Por banorët e pallatit, me të cilët A2 CNN ka folur, ata pretendojnë se kjo nuk është e vërtetë. Ata nuk preferojnë të flasin para kamerave, por thonë se flakët kanë nisur fillimisht në katin e tetë, ku në një banesë, për shkak të defektit të një prej pajisjeve, ka nisur gjithçka. Ata thonë se Shërbimi Zjarrfikës nuk ka pasur pajisjet e duhura për të eliminuar flakët. (A2 Televizion)