
Mesditën e sotme në Gjykatën e Vlorës është zhvilluar seanca e vlerësimit të masës së sigurisë për Petrit Ndojin, i cili u ndalua tri ditë më parë nga policia, teksa transportonte 4 mina me detonatorë në drejtim të qytetit bregdetar.
Seanca gjyqësore është zhvilluar me dyer të mbyllura dhe drejtohet nga gjyqtarja Lirza Sinollari, e cila ka pranuar kërkesën e prokurorit të çështjes Anton Pali për të lënë në burg 51-vjeçarin nga Lezha.
Gramoz Ismailaj avokati mbrojtës i shtetasit Petrit Ndoji, që u kap me 4 mina me donatorë nga policia 3 ditë më parë, shprehet se Ndoji nuk ka pranuar të flasë në seancën gjyqësore. Në deklaratën që ka dhënë në komisariatin e Vlorës ai thotë se nuk ka lidhje me veprën dhe se i është ngritur një kurth.
Ndoji ishte me profesion agjent imobiliar, dhe sipas avokatit, qesen ia kanë dhënë në Vorë. Avokati thekson se Ndoji nuk e ka ditur se çfarë ka patur brenda në të.
Ndaj tij, rëndon akuza për “mbajtje pa leje dhe prodhim të armëve shpërthyese dhe municioneve”.
Pas konfirmimit të masës së sigurisë “arrest në burg”, hetimet rreth çështjes do të vijojnë, me policinë dhe organin e akuzës që synojnë të mësojnë destinacionin e minave, si dhe nëse Ndoji ka pasur apo jo bashkëpunëtorë. (A2 Televizion)