Një ditë pas takimit të pasuksesshëm mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, përplasjet vijojnë në distancë.
Burime të Bashkimit Europian, hedhin poshtë pretendimet e kryeministrit të Kosovës se gjatë takimit, vetëm ai kishte paraqitur një propozim të sekuencuar për zbatim të marrëveshjes për normalizimin e raporteve.
Sipas burimeve, BE-ja u ka paraqitur palëve një plan për implementimin shkallë-shkallë të marrëveshjes.
Duke rikujtuar se përfaqësuesi i Lartë, Josep Borrell, kishte thënë se kishte dorëzuar propozimin e kompromisit që implementimi të shkojë paralelisht, burimet e BE-së pohojne se që në qershor i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, kishte prezantuar një plan të sekuencuar dhe se për të kishte pasur, deri më tani, shtatë raunde të takimeve të ndara me palët.
“Prandaj, pohimi i kryeministrit Kurti se propozimi i tij ka qenë i vetmi në tryezë, është thjesht i pasaktë”, thonë burime të BE.
Dokumenti, të cilit i referohen burimet mban datën e 19 korrikut dhe kërkon që zbatimi të nisë me “Hapjen e procesit negociues për Asociacionin e Komunave me Shumicë serbe”.
Paralelisht, Serbia nuk do të insistonte më në përdorimin e asteriskut dhe fusnotës, apo pjesëmarrjen e UNMIK-ut në forumet rajonale.
Më pas, do të vijohej me një sërë hapash për të arritur deri te njohja e dokumenteve dhe simboleve shtetërore.
Pas takimit të së enjtes, përfaqësuesi i politikës së jashtme të BE-së, Joseph Borrell, fajësoi Kurtin se nuk pranoi propozimin e BE-së për zbatim të njëkohshëm të detyrimeve të ujdisë.
Ndërsa kryeministri i Kosovës, e drejtoi gishtin nga diplomatët europianë, që siç tha kishin pranuar si qëndrim të tyre, kushtëzimet e Serbisë. (A2 Televizion)
