Dështimi i bisedimeve në Bruksel, Borrel fajëson Kurtin: Vuçiç pranoi propozimin tonë

Nga A2 CNN
14 Shtator 2023, 14:15 | Kosova
Dështimi i bisedimeve në Bruksel, Borrel fajëson Kurtin:

Bashkimi Europian fajëson Kosovën për dështimin e takimit të dialogut në Bruksel, ndërsa vlerëson palën serbe.

“Sot u mundova që të gjej zgjidhje për rrugën përpara duke u bazuar në propozimin tonë. Fatkeqësisht, Kurti nuk ishte i gatshëm që të lëvizë përpara dhe të fillojë që ta themelojë Asociacionin. Ai insistoi me njohjen de fakto të Kosovës. Ndërsa Vuçiç e ka pranuar propozimin tone”, njoftoi shefi i BE-së për politikë të jashtme, Hoze Borrel, në një konferencë pas bisedimeve.

Ai konfirmoi edhe njëherë se formimi i asociacionit është nyja kryesore që duhet zgjidhur përpara se të vijohet me normalizimin e plotë të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

Borrel foli edhe për krizën në veri të Kosovës duke kërkuar mbajtjen urgjente të zgjedhjeve në katër komunat e përfshira dhe dorëheqjen e kryetarëve aktualë shqiptarë.

Më herët ishte Vuçiç që foli i pari duke konfirmuar dështimin në përcaktimin e një rruge të qartë drejt normalizimit të marrëdhënieve.

“Është e qartë se Kurti, thjesht, i shmanget formimit të Asociacionit… Ky është thelbi i gjithçkaje. Serbia nuk ikën nga detyrimet e saj”, nënvizoi presidenti serb.

Vuçiç tha se në takim u diskutua edhe për mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të reja në veri të Kosovës, duke mbështetur idenë e dorëheqjes së kryetarëve shqiptarë. Gjithashtu paralajmëroi edhe një vizitë në Graçanicë të Kosovës. (A2 Televizion)


A2 CNN Livestream

Latest Videos