Dialogu Kosovë-Serbi, Ashton: Duhet kompromis dhe vendosmëri për të ecur përpara

Nga A2 CNN
15 Shtator 2023, 14:24 | Kosova
Dialogu Kosovë-Serbi, Ashton: Duhet kompromis dhe vendosmëri për

Ish-përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Catherine Ashton, theksoi nevojën e bërjes së kompromiseve në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, për të arritur diçka të madhe.

Gjatë qëndrimit në Kosovë, ish-ndërmjetesuesja e dialogut tha se duhet më shumë lidership dhe vendosshmëri për të ecur përpara.

Duke rrëfyer vështirësitë që ka pasur në procesin e dialogut, ajo shprehu vlerësimin për të dërguarin e posaçëm, Miroslav Lajçak, i cili tha se e do suksesin e Kosovës.

“Shpresoj të shohim përparimin e dialogut, por nuk do të jetë e lehtë. Duhet udhëheqje e vërtetë, vendosmëri e vërtetë, të jesh i përgatitur për të lëvizur dhe menaxhuar situatën. Për të bërë kompromis në kuptimin më të mirë të kësaj fjale, jo për t’u dorëzuar. Shpresoj që në muajt dhe vitet në vijim, ne do të shohim përparimin e dialogut. Nuk do të jetë e lehtë, por keni mbështetjen e shumë njerëzve që duan të shohin sukses. Sidomos Miroslav Lajçak, i cili ndonjëherë nuk merr mirënjohjen që meriton, por ai vërtet beson në të ardhmen e Kosovës.”

Krahas kësaj, baronesha Ashton e cila promovoi në Prishtinë librin e saj të ri, “ Dhe më pas, çfarë” u shpreh e gatshme për të ndihmuar dialogun, por shtoi se koha e saj mund të ketë mbaruar, siç pohoi kryeministri Kurti të enjten.

“Jam e gatshme të ndihmoj procesin e dialogut, por Kurti me të drejtë tha se ditët tona kanë mbaruar. Mund të bëj çdo gjë në mbështetje të dialogut dhe në mbështetje të popullit të Kosovës dhe Serbisë për të ecur përpara së bashku në kontekstin e anëtarësimit në BE. Por, kryeministri tha se ditët e Ashton-it, Daçiçit dhe Thaçit kanë mbaruar, dhe ai ka të drejtë.”

Pjesë e konferencës ishte edhe ish-zv.ndihmëssekretari i Shteteve të bashkuara për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, ambasadori Philip Reeker, i cili tha se duhen hapa seriozë dhe kompromise që dialogu të ketë sukses. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos