I ftuar në A2 CNN, në “Intervistë” me Merita Haklaj, Fatmir Mediu, kreu i Partisë Republikane tha se sistemi proporcional rajonal që është në zbatim aktualisht në Shqipëri, ka vrarë garën mes kandidatëve, duke i dhënë pushtet kryetarëve të partive politike.
Për rrjedhojë, ai thekson se është shumë e domosdoshme që vendi ynë të ketë një sistem zgjedhor proporcional kombëtar me lista të hapura, duke listuar edhe të mirat që ai do të sillte, në rast se do të miratohej.
“Ne kemi humbur mundësinë për të pasur zgjedhje të lira dhe të ndershme, është një sistem i manipuluar, jo vullnet i qytetarëve, por i grupeve të interesave kriminale. Sistemi mazhoritar proporcional, ka qenë i mirë, se kishte konkurrencë dhe pastaj të një mbështetjeje politike, sistemi proporcional rajonal e vrau këtë dhe organizimi kushtetues nuk kishte lidhje me Shqipërinë, dhe ndodhi që iu qas sistemit spanjoll dhe ky sistem përjashtoi figura politike se iu dha autoritet individëve që drejtonin partitë politike, vrau dhe garën dhe mundësinë e qytetarëve për të zgjedhur. Sistemi proporcional kombëtar me lista të hapura, bashkon shoqërinë shqiptare dhe diasporën në një proces që bëhen të interesuar për të votuar dhe garuar, është një garë mazhoritare brenda subjektit, pra nuk është një përplasje individësh të krahut të kundërt, por një garë brenda subjektit tënd dhe krijon mundësi për të krijuar një sinergji elektorale, sepse si i pari dhe i fundit janë të përfshirë në garë. Është një sistem që i jep më tepër rezultat, më tepër konkurrueshmëri, më shumë mundësi për të zgjedhur”, tha Mediu në A2 CNN.
Ai iu kthen përgjigje edhe të gjithë kritikëve që thotë se ky sistem nuk favorizon gratë në politikë.
“Po, mund të vendosësh edhe sistemin e kuotave në këtë sistem dhe brenda kuotës, pastaj bën përllogaritjet se si përzgjidhet”, përfundoi kreu i PR-së. (A2 Televizion)
