Përplasjet për Asociacionin, Vuçiç: Do të përballemi me trysni të re nga perëndimi

Nga A2 CNN
18 Shtator 2023, 13:14 | Ballkani
Përplasjet për Asociacionin, Vuçiç: Do të

Teksa kryeministri Albin Kurti e drejton gishtin nga Bashkimi Europian, që sipas tij po mban anën e Serbisë, presidenti Aleksandër Vuçiç paralajmëron se shteti i tij do të përballet me presion të ri nga ana e perëndimit, lidhur me bisedimet e zhvilluara me Kosovën.

Sipas tij, çështja e asociacionit të komunave me shumicë serbe, e cila po paralizon përparimin në dialog, duhet të zgjidhet me patjetër.

“Ata në thelb u pajtuan me gjithçka që po bën Albin Kurti. Çështja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe është diçka që ata duhet ta zgjidhin patjetër pasi marrëveshja për të është nënshkruar dhjetë vjet e gjysmë më parë dhe sepse ne këmbëngulim për themelimin e tij”, tha Vuçiç.

Në intervistën e gjatë për televizionin Pink TV, presidenti i Serbisë u ndal kryesisht te problemet brenda vendit duke njoftuar mundësin e që zgjedhjet e parakohshme në Serbi, të mbahen në 4 mars të vitit të ardhshëm. Zgjedhjet, të kërkuara nga opozita më herët ishin caktuar për në datën31 dhjetor.

“Jam i gatshëm të mbajmë zgjedhjet në mars, në përputhje me kërkesat e opozitës”, tha ai.

Më 11 shtator, përfaqësuesit e opozitës në Serbi, të cilët kanë organizuar protestat “Serbia kundër dhunës”, dorëzuan një kërkesë duke i kërkuar Vuçiçit që të shpallë zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare dhe zgjedhje në Beograd deri në fund të vitit 2023.

Më 5 shtator, deputetët opozitarë njoftuan në Parlament se ata do të “bllokojnë” organin ligjvënës të Serbisë derisa të plotësohet kërkesa për mbajtjen e zgjedhjeve, pas protestave disa mujore që pasuan dy vrasje masive në Serbi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos