Projektligji që rikthen lojërat e fatit online mori dritën jeshile edhe në Komisionin e Veprimtarisë prodhuese. Më herët u zhvillua edhe dëgjesa e fundit me grupet e interesit në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave e cila ngjalli debate. Ish-kreu i Shoqatës së Basteve, Artan Shyti, tha se nisma për rikthimin e basteve, tashmë online, do të dështojë nëse nuk rikthehen kompanitë e basteve që i menaxhonin më parë.
“Me këtë ligj lojtarët e kanë më mirë të vijojnë në paligjshmëri. Në botë ka edhe pika fizike jo vetëm online. Ligji kërkon të deklarohen edhe shumat e vogla, kjo do pengojë edhe turistët të luajnë. Pse të jenë vetëm kompani të huaja, ato do i dërgojnë paratë jashtë. Nëse nuk rikthehen kompanitë që ishin, kjo nismë do të dështojë.”
Kjo deklaratë u kundërshtua nga deputeti socialist Erion Braçe, sipas të cilit para 2018 bastet i ka pasur në dorë krimi.
“Këtë aktivitet e ka pasur në dorë krimi. Kjo ka qenë e qartë! Ti nuk duhet të përfaqësosh krimin në komision. Ju kam dëgjuar në çdo komision edhe në televizion, po ju dëgjoj dhe këtu. Po s’u kthyet kompanitë që ishin kjo gjë do të mbetet informale… është perceptuar si shantazh i qartë. Këtë aktivitet e ka pasur në dorë krimi. E dimë mirë se çfarë kemi hequr në 2018. Me telefona e mesazhe duke kërcënuar fëmijë e prindër.”
Nga ana e saj opozita kritikoi qeverinë, se nëpërmjet ligjit kërkon të favorizojë disa kompani, përballë disa të tjerave. Deputetja e PD, Jorida Tabaku tha se ky projektligj ngushton tregun dhe rrit informalitetin.
“Nuk shqetësohem për kompanitë që ofrojnë aktivitetin e lojërave të fatit por për të mirën publike dhe ky projektligj ul konkurrencën dhe përqendron aktivitetin në pak kompani siç ka ndodhur me kompanitë e karburanteve dhe në sektorë të tjerë. Kjo tendencë ku me ligje ngushtohet tregu dhe eliminohet konkurrenca është e dëmshme. Është e dëmshme sepse prishet struktura e tregut dhe konkurrenca.”
Shqetësim për përfaqësuesit e grupit të interesit ishin dhe rregullat e rrepta për identifikimin e lojtarit dhe pasjen e një llogarie bankare duke u bërë pengesë për lojtarët që vijnë si turistë.
Pak ditë më parë ky projektligj mori miratimin edhe në Komisioni e Ligjeve. Tashmë pritet të kalojë për votim në Parlament. (A2 Televizion)
