Mbiçmimi i lekut, me euron që ka arritur në nivelet më të ulëta historike, rrezikon që të kthejë eksportet shqiptare në vitet 2000. Vetëm drejt vendeve të bashkimit Europian, në harkun e muajve janar-gusht kompanitë shqiptare eksportuan 22 miliardë lekë më pak mallra. Teksa paralajmërojnë se Shqipëria mund të kthehet në një vend shumë më importues, ekspertët kërkojnë ndërhyrje te kursi i këmbimit.
“Ky fuqizim i lekut vetëm sa e përkeqëson këtë situatë. Bën që importet të rriten, prodhimi vendas të vuajë dhe si pasojë ekonomia të kthehet në importuese me prodhim vendas në rënie”, thekson eksperti Eugen Musta.
Rënia e euros rrezikon të kthejë eksportet shqiptare në vitet 2000. Është ky paralajmërimi i ekspertëve të ekonomisë, alarm që po konfirmohet edhe nga të dhënat e tregtisë së jashtme. Vetëm drejt vendeve të Bashkimit Europian, në harkun e muajve janar-gusht kompanitë shqiptare eksportuan 22 miliardë lekë më pak mallra. Me kursin aktual të këmbimit, humbja përllogaritet në mbi 206 milionë euro.
“Kjo nuk është një surprizë për arsyen e vetme faktori evident ka qenë i detyruar. Kemi të bëjmë me mbiçmim të lekut në raport me euron duke e bërë produktin tonë të destinuar për eksport më të shtrenjtë. Rrjedhimisht ai humb aftësinë konkurruese”, shprehet eksperti Eugen Musta.
Ajo që e bën situatën edhe më shqetësuese është fakti se tkurrja e eksporteve po përfshin thuajse të gjitha kategoritë e mallrave. Të dhënat e INSTAT treguan se në harkun e muajve janar-gusht pati më pak lëndë minerare, tekstile, prodhime druri e pajisje këmbimi apo ushqime të shitura në tregjet e huaja.
“Nëse nuk adreson problemet e kursit të këmbimit, duke madje shkuar në masa ekstreme të aktivizimit të kursit të këmbimit të fiksuar, atëherë eksportet tona do të jenë në rënie të lirë”, thotë Musta.
Të dhënat nga Instituti i Statistikave treguan eksportet e mallrave shqiptare në harkun e muajve janar-gusht të eksportuara në të gjitha tregjet nuk e kaluan shifrën e 300 miliardë lekëve. Tkurrja përllogaritet me mbi 28 miliardë apo 8.5 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë kohore të një viti më parë. (A2 Televizion)
