Gjykata e Posaçme ka përfunduar shqyrtimin e dy çështjeve të bujshme të këtij viti, ato të inceneratorëve. Teksa flasim dy trupa gjykuese janë në kohën e tyre të dhomës së këshillimit për të dalë në vendimin përfundimtar ndaj të pandehurve për inceneratorin e Elbasanit dhe atë të Fierit. Vendimi përfundimtar ndaj 9 të akuzuarve për inceneratorin e Elbasanit do të shpallët me 5 tetor.
Treshja gjykuese u tërhoq për vendim këtë të enjte, pasi dëgjoi edhe konkluzionet e mbrojtjes së shoqërisë koncesionare “Alb Tech Energy”, e pandehur si person juridik në proces.
Avokati i saj kundështoi akuzën e “korrupsionit”, duke pretenduar se sipas bilanceve tregtare dhe pagesave të kryera për palët e tretë rezulton se nuk ka pasur hapësirë për abuzim. I pandehuri kryesor i dosjes, ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka, i paraqiti gjykatës përmes avokatit disa akt-ekspertime mjekësore.
Përmes tyre Koka pretendonte probleme shëndetësore dhe pamundësi qëndrimi në paraburgim, ku rri prej dhjetorit 2021. Ndërsa vendimi përfundimtar për të pandehurit e dosjes së inceneratorit të Fierit pritet të shpallet më 25 shtator. Për të dy çështjet e gjykuara të veçuara, që kanë të përbashkët disa prej të pandehurve, SPAK ka kërkuar fajësi dhe dënime me burg.
Kështu për ish-ministrin Koka, i akuzuar për “korrupsionit”, “shpërdorimit të detyrës” dhe “pastrimit të parave” janë kërkuar dënime me nga10 vite burg. Për ish-deputetin e Partisë Socialiste, Alqi Bllako, janë kërkuar dënim me 10 dhe 7 vite burg. Dënime të rënda, me nga 10 deri në 12 vite burg janë kërkuar edhe për biznesmenët e inceneratorëve, Klodian Zoto e Mirel Mërtiri. (A2 Televizion)
