Një efektiv policie mbeti i plagosur në afërsi të ish-Kinostudios, në rrugën “Hysen Xhura” në Tiranë.
Edlir Alleshi, i repartit “Shqiponja”, së bashku me kolegun e tij ndiqnin një person që lëvizte me armë zjarri, ndërsa i dyshuari i identifikuar si Klered Bozhanaj i zuri pritë dhe qëlloi ndaj dy efektivëve. Alleshi mori një plumb në bark, ndërsa 41-vjeçari Bozhanaj, i ndihmuar dhe nga errësira, arriti të largohej përmes rrugicave në zonë.
Ka qenë pronari i një biznesi aty pranë që bëri të mundur transportimin e efektivit në spitalin e traumës, ndërsa, sipas mjekëve, gjendja e tij shëndetësore është jashtë rrezikut për jetën.
Fare pranë vendit të ngjarjes hetuesit arritën të identifikojnë dhe mjetin me të cilin lëvizte Bozhanaj, një Audi me targa italiane dhe që ishte lënë me dyer të hapura.
Në spitalin e traumës efektivi i plagosur u vizitua dhe nga ministri i Brendshëm, Taulant Balla, i cili i bëri thirrje autorit të vetëdorëzohet.Për disa orë, policia kontrolloi të gjithë zonën për të gjetur 41-vjeçarin, pasi rezulton banues në rrugën “Aleksandër Moisiu”, pranë vendit ku ndodhi plagosja, por pa mundur të bjerë në gjurmët e tij.
Sipas informacioneve të policisë, Klered Bozhanaj është një përdorues narkotikësh, ndërsa të gjitha shërbimeve u është kërkuar të jenë të kujdesshme për të shmangur ngjarje të tjera të mundshme.
Për këdo që ka informacione për agresorin, policia vendosi dhe shumën prej 20 mijë eurosh, teksa iu apeloi qytetarëve të bëjnë kujdes, pasi është i armatosur. (A2 Televizion)
                                          
						                   
						                   
						                   
						                   
						                   
						                   
						                   
						                   
						                   