
Enea Jorgji, i cili hyri në histori si arbitri i parë shqiptar që gjykon një ndeshje të Champions League, ishte i ftuar në studion e “Ditarit”, në A2 CNN, ku tregoi emocionet që përjetoi në kompeticionin më të madh për klube në botë.
“E parapërgatitëm veten t’i menaxhonin emocionet. Edhe pse me dëgjimin e himnit të Champions ishte e pashmangshme, por arritëm t’i kthenim emocionet në reagim pozitiv. Në fakt, unë duhej të kisha arbitruar në Europa League. Shefi i arbitrave shqiptarë, Jareci, më njoftoi se ndeshja ime ishte anuluar. Pak më pas më shkruajti se jo çdo e keqe vjen për keq, pasi ishim caktuar në ndeshje Championsi. Debutimi në Champions ishte i veçantë, edhe pse u thirra nga sistemi VAR për një 11-metërsh, vendim të cilin e ndryshova. Nuk isha i ashpër, pavarësisht shtatë kartonëve të verdhë. Patëm një ndeshje me nivel vështirësie më të lartë nga sa e kishim menduar. I kishim studiuar ekipet për afro 10 ditë. Bëmë një parapërgatitje shumë të mirë”, tha Jorgji në A2 CNN.
Jorgji shtoi se emocionet më të mëdha i ndjeu pas ndeshjes: “Me ndeshjet e mia ndërkombëtare i kam hapur dyert, sepse edhe kolegë të tjerë kanë marrë ndeshje të tjera. Shpresoj që edhe ky debutim i imi në Champions të shoqërohet me caktimin e të tjerë arbitrave. Kam marrë urime pa fund. Pjesa më e madhe ishin mbështetës për vendimet që mora dhe kjo më bën të ndihem krenar. Presion? Në fakt përpara ndeshjes pyesja veten si ia bënin kolegët që në nivele të tilla nuk kanë emocione. Edhe mua më ndodhi, që hyra në botën time të arbitrimit dhe bën maksimumin për atë që je në fushë. Emocionet më të mëdha i ndjeva pas ndeshjes. Pasi u relaksova. Ndeshjen e kam parë sërish. Do të zgjidhja të bëja disa korrigjime, por jo në vendime madhore”. (A2 Televizion)