Sfidat e licensimit të medias në epokën digjitale, dezinformimi, edukimi i publikut për të kuptuar dhe për t’u përfshirë në mënyrë të përgjegjshme në media, ishin objekt diskutimi i forumit të enteve rregullatore të vendeve të Detit të Zi, qe u mbajt në Turqi.
Në panelin “Dezinformimi dhe edukimi mediatik digjital”, kryetarja e Autoritetit të Mediave Audiovizive, Armela Krasniqi tha se “është e rëndësishme që qytetarët të kenë akses në informacion, por është njësoj e rëndësishme edhe që ata të kenë edukimin e nevojshëm në përdorimin e mediave online; të dinë të dallojnë dhe të përzgjedhin informacionin e saktë nga ai i rremë, si dhe të kenë aftësinë e duhur analitike e kritike në këtë realitet kompleks”.
Drejtuesja e AMA-s pohoi se zhvillimi teknologjik është një sfidë që entet rregullatore duhet t’i përgjigjen me hartimin dhe zbatimin e udhëzuesve dhe rregulloreve në epokën e komunikimit online, por pa prekur lirinë shprehjes. (A2 Televizion)
