
Në maternitetin e Durrësit shifrat flasin për ulje të numrit të lindjeve në tri vitet e fundit. Viti 2021 që përkon me periudhën pas pandemisë ishte periudha më e lartë në shifra. Për shefen e Shërbimit Obstetrik Gjinekologjik në maternitetin e Durrësit, Diana Shahini ky trend në rënie vjen si pasojë e tre faktorëve kryesorë.
Në qarkun Durrës, sipas shefes Shahini shumë nga çiftet e reja preferojnë të bëhen për herë të parë prindër rreth moshës 30-35 vjeçare.
“Bazuar në statistikat që disponojmë vihet re një rënie e lindjeve nga viti 2020-2023. Mendoj që ndikojnë disa faktorë. Së pari është rritur mosha riprodhuese. Çiftet e reja zgjedhin një moshë më optimale për t’u bërë prindër përtej të 30-ve, sepse duan të kualifikohen, pozicionin e punës dhe pastaj merren me kualifikimin familjar. Vihet re fenomeni i prindërimit të sigurt. Duan që të kenë kushte sa më optimale, duhet të punojnë më shumë dhe e kanë të pamundur që të bëjnë më shumë fëmijë. Nga ana tjetër janë edhe faktorë të brendshëm si shtimi i materniteteve private, që një pjesë e mirë e pacientëve synojnë të lindin në spitalet private”, shprehet Diana Shahini.
Në tremujorin e parë 2023, të gjitha qarqet e vendit shënojnë ulje të numrit të lindjeve, në krahasim me tremujorin e parë 2022. Qarku me numrin më të lartë të lindjeve është Tirana me 1.939 lindje, ndërsa qarku me numrin më të ulët është Gjirokastra me 77 lindje. (A2 Televizion)