
Veriu i Kosovës u zgjua nën zhurmën e plumbave këtë të dielën dhe një seri zhvillimesh dramatike, që rikthyen frikën e luftës. Një polic mbeti i vrarë dhe dy të tjerë u plagosën në fshatin Banjskë të Zvecanit, ku kishin shkuar pas informacioneve se dy kamionë kishin penguar lëvizjen.
Kryeministri Kurti, i cili foli për një akt terrorist të orkestruar nga Beogradi, tha se sulmet po vazhdojnë dhe se 30 persona të armatosur rëndë gjenden nën rrethimin e policisë së Kosovës, pranë dhe brenda manastirit të Banjskës.
“Janë së paku 30 persona të armatosur rëndë, profesionistë, ushtarakë e policë, të cilët ndodhen nën rrethimin e forcave tona policore dhe të cilët i ftoj që të dorëzohen te organet tona të sigurisë”.
Kurti publikoi foto të personave të armatosur me maska që siç tha kanë hyrë të territorin e Kosovës me xhipa pa targa dhe autoblinda. Sipas tij, banorët lokalë serbë “nuk kanë automjete të tilla, dhe asnjë civil tjetër në Republikën e Kosovës”.
Gjate konferencës, Kurti e ka theksuar se është shumë e rëndësishme që kjo situatë të përmbyllet në mënyrë të qetë dhe më pas do të vendoset gjithçka tjetër.
“Organet tona të sigurisë dhe prokuroria, me siguri, do të zhvillojnë hetime për të kuptuar më shumë për këto uniforma. Unë u bëj thirrje të gjithë atyre, edhe si formacion, edhe si individë që t’iu dorëzohen organeve të sigurisë, të cilat e kanë vendosur perimetrin rreth tyre në Banjskë”.
Ministri i Brendshëm, Xhelal Zvecla dha detaje, ku sipas tij grupet kriminale të mirë organizuara dhe të dirigjuara nga Beogradi, pas bllokimit të urës me mjete të rënda dhe pamundësimit të qasjes në fshatit Bajnskë, kanë sulmuar në pritë njësitë policore, ku për pasojë rreshteri i policisë së rendit Afrim Bunjaku është vrarë, dhe dy të tjerë janë plagosur.
Presidentja Vjosa Osmani ndërpreu vizitën në SHBA për tu kthyer në vend, ndërsa akuzoi Beogradin për orkestrim dhe ekzekutim të atij që e quajti akt terrorist. Pas ngjarjes Kryeministri Kurti, thirri një mbledhje të Këshillit të Sigurisë… (A2 Televizion)