
Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se situata në Kosovë është planifikuar nga një formacion terrorist. Sipas tij, bëhet fjalë për një strukturë mercenare e cila është e organizuar dhe e përkrahur politikisht, financiarisht dhe logjistikisht nga Beogradi.
“Policia e Kosovës është ajo që informon për të dhënat nga terreni, por ajo që duhet tashmë që kemi dhe pjesëtarë të atij formacioni profesionit, ushtarak policor të huaj që kreu sulmin terrorist dhe vrau mizorisht Afrimin i kemi edhe të plagosur dhe tre të vrarë prej tyre dhe gjithashtu të arrestuar. Besoj që procesi në vijim do të na japë më shumë të dhëna mbi atë se kush janë këta? Si hynë në Kosovë? Kur dhe kush janë urdhërdhënësit e dirigjuesit e kësaj përpjekje të dështuar për ta destabilizuar Republikën e Kosovës? Nga ajo çfarë kemi mësuar janë ato çfarë i kemi menduar edhe më herët që bëhet fjalë për një formacion terrorist e kriminal profesionist, i cili i ka planifikuar gjatë këtë se çfarë kanë kryer sot dhe që nuk paraqesin një bandë të kontrabandës, por një strukturë mercenare, e cila është e përkrahur politikisht, financiarisht dhe logjistikisht nga Beogradi zyrtar”, tha Kurti.
Kurti shtoi se polici i vdekur Afrim Bunjaku me trimërinë e tij ka ndriçuar rrugën e shtetit të Kosovës. Ai tha se do të ndjekim rrugën ligjore të gjithë së bashku deri në fund.
Një natë më parë janë ndezur qirinjtë për nder të policit të vrarë në krye të detyrës në Basnjë të Zveçanit. Të pranishëm në ndezjen e qirinjve ishte kryeministri Albin Kurti, përfaqësues të institucioneve të Kosovës, ambasadori amerikan dhe shumë policë e qytetarë të tjerë.
Ndërkohë sot Kosova ka shpallur ditë zie kombëtare në nderim të policit të rënë në krye të detyrës.
Në ngjarjen që riktheu hijen e luftës në veriun e trazuar, mbetën të plagosur edhe disa efektivë të tjerë. Sipas autoriteteve nëKosovë, një grup kriminal prej rreth 30 personash të armatosur rëndë u vendosën në manastirin e Banjskës dhe rreth tij, duke shkëmbyer zjarr me forcat e rendit përgjatë gjithë ditës së diel, para se policia të mësynte strukturën.
Prokuroria Speciale e Kosovës tha se gjashtë personat e arrestuar, të cilëve u është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh, dyshohen për “vepra të rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”, “sulm kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës”, “përgatitje të veprave terroriste” dhe “armëmbajtje pa leje”. Për arsye sigurie, dy vendkalimet kufitare me Serbinë, në Jarinjë dhe Bërnjak u mbyllën. (A2 Televizion)