Vrasja e policit të Kosovës në Veri, reagon sërish kryeministri Rama

Nga A2 CNN
25 Shtator 2023, 08:21 | Kosova
Vrasja e policit të Kosovës në Veri, reagon sërish

Kryeministri Edi Rama me një postim në rrjetin social Facebook ka reaguar për të dytën herë për ngjarjet e ndodhura, ditën e djeshme, në Veri të Kosovës, ku një grup i armatosur serb i mori jetën efektivit Afrim Bunjaku dhe la të plagosur një tjetër polic.

Me një foto të flamurit të Kosovës, ulur në gjysmështizë nga ushtarët e FSK-së, Rama shpreh ngushëllimet dhe përuljen për policin e rënë në krye të detyrës.

MIRËMËNGJES, me përuljen me nderim për efektivin e Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, i cili dha jetën në krye të detyrës”, shkruan shefi i qeverisë.

Ndërkohë, ditën e djeshme, pak orë pas ngjarjes, Rama e cilësoi vrasjen e policit një kambanë alarmi për rajonin. Duke i cilësuar kriminelë autorët e ngjarjes ai kërkoi vendosjen e tyre para drejtësisë dhe thirrjen e një konference të jashtëzakonshme për paqen.

Tragjedia e humbjes së jetës së efektivit të Policisë së Kosovës është kambana më e madhe e alarmit deri më sot për rrezikun e vazhdueshëm të eskalimit të krizës së zgjatur në një konflikt të armatosur. Kriminelët që i morën jetën një njeriu të pafajshëm, i cili shërbente nën uniformën shtetërore të forcave të rendit të Republikës së Kosovës, duhet të dalin përpara drejtësisë. Komuniteti euroatlantik duhet të mbledhë të gjithë forcën e tij imponuese dhe të ulë pa kthim Kosovën dhe Serbinë në tryezën e Dialogut të Normalizimit“, shprehej Rama.

Ngjarja e rëndë që riktheu ethet e luftës në Kosovë ndodhi rreth orës 3 të mëngjesit të së dielës në fshatin Banjska të Zveçanit, ku policia e Kosovës u sulmua nga një grup i armatosur prej 30 personash, të veshur me uniforma ushtarake dhe të armatosur me armë të rënda.

Një operacion i Forcave Speciale të Kosovës për kapjen e autorëve e pasoi ngjarjen e rëndë, nga ku në total 3 serbë mbetën të vrarë gjatë shkëmbimit të zjarrit dhe 6 janë arrestuar. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos