Si e la Macron në pritje Atin e Shenjtë? Momenti kur Papa Françesku shpreh zhgënjimin

Nga A2 CNN
25 Shtator 2023, 10:29 | Bota
Si e la Macron në pritje Atin e Shenjtë? Momenti kur Papa

Një video që tregon Papa Françeskun teksa shpreh me mimikë mërzitjen dhe zhgënjimin prej faktit se Presidenti francez Emmanuel Macron e la të priste gjatë për takimin e tyre në fundjavë, është bërë virale në rrjet.

Pamjet e transmetuara nga mediat italiane tregojnë Atin e Shenjtë të ulur vetëm në një karrige në Palais du Pharo të Marsejës, përpara një takimi dypalësh me Macron.

Papa duket i shqetësuar dhe në vazhdimësi sheh me sy karrigen e zbrazët të Macron-it pranë tij, e në një rast duket se nervat nuk e mbajnë pasi godet dorën e tij në mbështetësen e krahut.

Kamera zmadhon fytyrën e vrenjtur të Papës, ndërsa në sfond janë flamujt e Francës, BE-së dhe Vatikanit pas tij.

Përfundimisht, pas më shumë se një minutë e gjysmë, Papa ngrihet nga vendi dhe përshëndet Macron, i cili hyn me shpejtësi në dhomë. Çdo shenjë bezdie apo zhgënjimi nga Ati i Shenjtë është zhdukur, teksa ai buzëqesh dhe i shtrëngon dorën presidentit francez.

Por nëse Papa buzëqeshi sërish pas momentit të sikletshëm, komentuesit në Itali nuk e kursyen aspak Macron, duke e cilësuar fyes faktin që e la Atin e Shenjtë të priste aq gjatë.

Kolumnisti italian Giuseppe De Lorenzo e qortoi Macronin për “vrazhdësinë” e treguar dhe e ironizoi fort duke e quajtur atë Madhëria e tij Emmanuel II.

Titulli i artikullit të De Lorenzos ishte gjithashtu dëshpërues: “Turp për Macron: Papa në paradhomë nuk është laicizëm, është një ofendim“. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos