Tetë serbë të arrestuar, disa në paraburgim, policia e Kosovës gjen sërish arsenal armësh në veri

Nga A2 CNN
26 Shtator 2023, 16:35 | Kosova
Tetë serbë të arrestuar, disa në paraburgim, policia e

Policia e Kosovës arrestoi dhe dy persona të tjerë lidhur me sulmin terrorist të së dielës, duke e çuar në tetë numrin e të ndaluarve. Me anë të një deklarate, forcat e rendit njoftojnë se në zonën e fshatit Banjskë është gjetur dhe konfiskuar sërish një tjetër arsenal armësh, por edhe automjete të blinduara.

Mes armëve ka pasur kallashnikov, snajper, automatikë dhe mitraloza. Krahas operacionit anti-terror në veri të Kosovës, i cili është duke vijuar që prej ditës së dielë, Policia iu ka ardhur në ndihmë edhe banorëve të zonës në Banjskë, të cilëve iu ka shpërndarë ndihma ushqimore.

Lajmin e ka bërë të ditur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, me anë të një postimi në rrjetet sociale. Ndërkohë, dy serbë të Kosovës, pjesëtarë të dyshuar të grupit kriminal që u përfshi në një përleshje të armatosur me policinë e Kosovës, dolën para një gjykate në Prishtinë.

Atyre ju caktua masa e sigurisë me një muaj paraburgim. Të dyshuarit, të identifikuar me iniciale B.S dhe D.M akuzohen për veprat penale: Kryerja e veprave terroriste dhe vepra të rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Kosovës.

Për Dushan Maksimoviç, sot u caktua masa me 30 ditë paraburgim. Ne do të apelojmë kundër vendimi dhe kemi nxjerrë në dritë disa fakte, të cilat besojmë se janë të rëndësishme dhe që tregojnë se mund të behet fjalë më shumë për një keqkuptim se sa për diçka të lidhur me një krim.

Gjykata tha se një i dyshuar i tretë, me inicialet V.T, i cili është i plagosur, doli para një gjyqtari në spital, ku u akuzua pjesëmarrje në një sulm terrorist, dhe do të mbetet në paraburgim për një muaj. 1 polic i Kosovës dhe të paktën 3 pjesëtarë të grupit të armatosur u vranë gjatë përleshjeve të 24 shtatorit.   (A2 Televizion)


A2 CNN Livestream

Latest Videos