Serbia ka shpallur të mërkurën, ditë zie kombëtare për terroristët serbë të vrarë në Banjskë gjatë përplasjes së armatosur me policinë e Kosovës.
Këtë vendim e bëri të ditur kryeministrja Ana Bërnabiç, e cila foli për ngjarje tragjike, duke iu referuar sulmit, por që nuk u distancua nga agresorët.
“Qeveria e Serbisë kërkon nga të gjitha mediat dhe organizatorët e ngjarjeve publike që t’i përshtatin programet e tyre me Ditën e Zisë të mërkurën, më 27 shtator, dhe në këtë mënyrë t’i respektojnë viktimat në Kosovë dhe Metohi”, lexohet në një njoftim të qeverisë serbe.
Nga ana tjetër, edhe Lista Serbe ka shpallur tri ditë zie në komunat me shumicë serbe në Kosovë, edhe pse nuk ka legjitimitet për ta bërë këtë. Gjatë një reagimi për sulmin terrorist në Banjskë, kjo forcë politike nuk dënoi agresionin luftarak, por vetëm kërkoi hetim për serbët e vrarë nga forcat speciale të Kosovës.
Ndërkohë, presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, vijon fushatën e tij për të bindur ndërkombëtarët që edhe në këtë rast, kryeministri Albin Kurti është fajtori.
Ai u takua në Beograd me përfaqësuesit diplomatik të Amerikës, Britanisë, Francës, BE-së, Italisë dhe Gjermanisë për të kërkuar që vetëm KFOR-i të kujdeset për sigurinë në veriun e Kosovës, dhe jo policia e Kosovës.
Gjithashtu, ka pyetur ndërkombëtarët pse është refuzuar pjesëmarrja e EULEX-it në operacionin e policisë së Kosovës. (A2 Televizion)
