Punësimi i personave me aftësi ndryshe, eksportuesit kërkojnë heqjen e detyrimit ligjor, Komisioneri kundër

Nga A2 CNN
27 Shtator 2023, 14:31 | Sociale
Punësimi i personave me aftësi ndryshe, eksportuesit

Sipërmarrjet eksportuese në vend kërkojnë heqjen e detyrimit ligjor për të punësuar personat me aftësi të kufizuar.

Në një letër dërguar Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, shoqata “Pro-Eksport Albania” e argumenton kërkesën me vështirësitë financiare që bizneset në këtë sektor po kalojnë si pasojë e zhvlerësimit të euros.

“Ligji parashikon që për çdo 25 punonjës, njëri duhet të jetë me aftësi ndryshe. Nëse ai nuk është i aftë për punë apo nuk do ta kryejë punën, sipërmarrësi duhet t’i paguajë pagën minimale. Për një biznes me 50 të punësuar, kosto mujore është 80 mijë lekë shtesë.”

Ndonëse ligji që detyron punësimin e personave me aftësi të kufizuar ka hyrë në fuqi prej vitit 2019, vetëm pak ditë më parë Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive iu ka dërguar një shkresë bizneseve për të marrë masa në këtë drejtim.

“Problemi i madh është se AKPA nuk na sqaron se për çfarë kontingjenti bëhet fjalë. Pra nga çfarë lloj paaftësie vuajnë këta individë që edhe ne të kuptojmë se si mund t’i integrojmë në proceset e punës.”

Pas katër vitesh në fuqi, ligji “për nxitjen e punësimit të personave me aftësi të veçanta” nuk është zbatuar jo vetëm nga sektori privat, por edhe nga vetë administrata shtetërore.

“Ne kemi bërë edhe një monitorim ku kemi dalë në përfundimin se asnjë nga institucionet shqiptare nuk e plotëson detyrimin ligjor për punësimin e personave PAK. E kuptojmë edhe pozicionin e vështirë financiar të bizneseve, por duhet kuptuar që ligji është në fuqi prej 4 vitesh dhe këto të fundit duhet të kishin marrë masa tashmë.”

Sipas parashikimeve ligjore në fuqi, nëse një sipërmarrje nuk pranon të punësojë një person me aftësi të kufizuar, atëherë detyrohet të paguajë në shtet pagën minimale dhe kontributet për të.

“Besoj se do të ishte edhe në fitim për vetë bizneset që të trajnonim dhe punësonin këta individë, në vend që të paguanin më kot pagën minimale dhe kontributet shoqërore pa pasur ata në punë.”

Ndonëse të dhënat zyrtare mungojnë, në vend jetojnë rreth 140 mijë persona me aftësi ndryshe, ndërsa më pak se 3 mijë prej tyre janë të punësuar në shtet dhe privat. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos