
Ndryshimet në ligjin për asistencën sociale, për përjashtimin e prindërve shqiptarë, të cilët nuk janë rezident në vendin tonë, nga përfitimi i bonusit të bebes, ka marrë tashmë dritën jeshile në Komisionin përgjegjës për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë.
I miratuar që në vitin 2019 ligji për asistencën sociale, i lejonte edhe emigrantët shqiptarë të përfitonin.
Sipas zëvendësministres së Shëndetësisë, Denada Seferi, me këtë ndryshim pritet të shmangen përfitimet e dyfishta, pasi familjet që jetojnë jashtë vendit përfitojnë edhe nga vendet ku jetojnë edhe punojnë.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë, në vitin 2022 rreth 42 mijë e 500 çeqe janë dhënë nga qeveria për bebet e lindura ndërkohë që sipas Institutit të Statistikave vetëm 24 mijë e 700 lindën në Shqipëri. Thënë ndryshe bonusi u është shpërndarë rreth 18 mijë shqiptarëve të lindur jashtë vendit.
Bonusi i bebes zbatohej që prej 1 janarit 2019, i cili mbështeste familjet nëpërmjet dhënies direkte të çekut me vlerën e 40 mijë lekëve për fëmijën e lindur të parë, 80 mijë lekë për fëmijën e dytë dhe 120 mijë lekë për fëmijën e tretë.
Pas miratimit pa debate në Komisionin përgjegjës, ndryshimet në ligjin për asistencën sociale pritet të kalojnë për votim në parlament. (A2 Televizion)