Sergio Ramos në fushë, hajdutët i grabisin shtëpinë teksa brenda ndodheshin fëmijët e tij

Nga A2 CNN
27 Shtator 2023, 08:45 | Futboll
Sergio Ramos në fushë, hajdutët i grabisin shtëpinë

Rikthimi në shtëpi ka qenë i suksesshëm për Sergio Ramos, pasi ardhja e tij i ka dhënë një shkëndijë Sevillas, për t’u shkëputur nga fundi i tabelës së klasifikimit në La Liga me dy fitore radhazi.

Por nuk mund të themi të njëjtën gjë për jetën jashtë fushës së blertë, pasi ish-kapiteni i Real Madrid ka rënë pre e një grabitjeje.

Sipas mediave spanjolle, ferma La Alegría në Bollullos de la Mitación, ku ai jeton me bashkëshorten Pilar Rubio dhe katër fëmijët pasi u kthye në Andaluzi, më 20 shtator është mësyrë nga hajdutët.

Ngjarja ka ndodhur në kohën kur Ramos ndodhej në stadiumin Ramón Sánchez Pizjuán duke luajtur titullar në sfidën Sevilla-Lens, të vlefshme për Champions League.

Në banesë nuk ndodhej, në momentin kur grabitësit kanë hyrë, as gruaja e tij që ishte larguar nga Sevija për arsye profesionale, por vetëm fëmijët dhe kujdestarët, të cilët nuk janë lënduar.

Siç raporton gazeta ABC, grabitësit ia kanë dalë të plaçkitin shtëpinë, duke marrë ora luksoze, bizhuteri, veshje të shtrenjta dhe para kesh që futbollisti kishte ruajtur në fermën e tij.

Tashmë çështja po hetohet nga Garda Civile, ndonëse për momentin nuk ka informacione për arrestimin e autorëve.

Kjo nuk është hera e parë që Sergio Ramos bie pre e grabitësve, pasi në vitin 2012, hajdutët sulmuan shtëpinë e tij në lagjen rezidenciale të Madridit, Conde Orgaz.

Asokohe, hajdutët ishin të pafat, pasi futbollisti dhe vëllai i tij René ishin brenda dhe u larguan pa asnjë plaçkë.

Njëmbëdhjetë vjet më vonë, ai ka parë sesi hajdutët kanë thyer të gjitha masat e sigurisë në fermën e tij, të vendosur në zonën e njohur si La Juliana me një sipërfaqe prej 44 hektarësh.

Pikërisht në La Alegría, Ramos ruan një nga “xhevahiret” e trashëgimisë dhe bizneseve të tij, Yeguada SR4 dhe kalin e famshëm Yucatán de Ramos. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos