
Nën masa të rrepta sigurie u është komunikuar në gjykatën e Shkallës së Parë në Elbasan masa e arrestit me burg, 12 anëtarëve të grupit kriminal që drejtohet nga Laert Haxhiu.
Seanca për të arrestuarit në kuadër të operacionit policor “Never Forget”, me prokuror Kreshnik Ajazin dhe gjyqtare Megi Strakosha ka nisur rreth orës 11:00 dhe ka zgjatur përreth dy orë.
Forca të shumta policie rrethuan godinën që prej orëve të para të mëngjesit, duke krijuar një kordon por edhe një perimetër sigurie, që pengoi kalimin e automjeteve në rrugën përballë hyrjes së gjykatës.
Grupi në fjalë ra në pranga pas hetimeve për grabitjen e një exchange në zonën e Astirit, ku policia iu vu në ndjekje 39-vjeçarit Artan Tafani.
Pas 3 muajve nën survejim, hetuesit arritën në përfundimin se Tafani ishte anëtar i bandës së drejtuar nga Laert Haxhiu, pasi parkonte në garazhin personal të së dashurës së tij, Klea Gjata.
Me vënien në pranga të Tafanit dhe bashkëpunimin e tij me drejtësinë, u arrit të zbardhen 17 ngjarje të rënda kriminale që janë kryer midis viteve 2018-2021, mes të cilave 6 vrasje të realizuara nga grupi i Haxhiut në Peqin, Korçë, Tepelenë dhe Athinë.
Referuar dëshmisë së të penduarit dhe provave të tjera të mbledhura nga organi i akuzës u zbardh vrasja e Alban Semakut, i njohur edhe si Etlon Mermali, ngjarje e ndodhur më 17 tetor 2021, pranë lumit Shkumbin në Peqin.
Po ashtu, është zbardhur ekzekutimi i Albi Bashaliut më 27 dhjetor 2021 brenda një lokali në fshatin Gjoçaj të Peqinit. Rrëfimi i Tafanit ka hedhur dritë edhe mbi vrasjen e Fridmand Xhaferraj në Korçë, ndodhur më 13 qershor 2021.
Hetuesit po ashtu siguruan prova të mjaftueshme edhe për dokumentimin e autorëve të dy ekzekutimeve të shtetasve shqiptarë në Greqi, Lulzim Qorri dhe Dikens Halili.
Në kuadër të këtij operacioni u arrestuan 12 persona dhe 4 të tjerë u shpallën në kërkim.
Të arrestuar
Artan Tafani
Lulzim Spahia ose Arapi
Erisian Abedini, 32 vjeç
Ligor Lomaçka, aktualisht në burg
Bledar Berberi
Mariglen Topuzi
Bujar Abedini
Enriko Xhahysa
Klea Gjata
Idriz Mane, aktualisht në burg në Korçë
Fatjon Veliu
Laert Haxhiu, aktualisht ne burg në Greqi
Në kërkim
Lorenc Lala
Firdeus Berberi, 22 vjeç
Kristi Bizheku, 28-vjeç
Endrit Caushi (A2 Televizion)