Kërcënimi ndaj dy prokuroreve, ministri Balla garanton magjistratët për sigurinë e tyre dhe familjarëve

Nga A2 CNN
2 Tetor 2023, 13:21 | Aktualitet
Kërcënimi ndaj dy prokuroreve, ministri Balla garanton

Pas marrjes në mbrojtje të prokurores së SPAK, Doloreza Musabelli dhe ish-prokurores së Lushnjës, Merita Selimi, të vena në shënjestër nga një grup kriminal i dyshuar si i drejtuar nga Laert Haxhiu, ministri i Brendshëm, Taulant Balla, lajmëroi rritjen e masave të sigurisë ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve të Posaçëm. Pas një takimi me drejtuesin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, ku ishte i pranishëm edhe kreu i Policisë së Shtetit dhe ai i Gardës së Republikës, Balla foli për një qasje shtetërore në garantimin e sigurisë së magjistratëve.

“Mos harroni asnjëherë që kur draftoi apo miratoi reformën në drejtësi, kemi thënë që kjo reformë do shkaktojë dhimbje, dhe këto dhimbje po i shkakton edhe te krimi i organizuar, me goditjet e fundit dhe me ato që planifikojmë të realizojmë në ditët apo javët në vijim. Sikurse ka ndodhur edhe në vende të tjera, na duhet të mësojmë nga gabimet e të tjerëve për t’i parandaluar”.

Një nga masat parandaluese, sipas Ballës, është përfshirja e Shërbimit Informativ në takimet për këtë qëllim, si edhe pjesëmarrja direkte e ministrit të brendshëm në Komisionin që vlerëson nevojën për mbrojtje të magjistratëve.  

“Dhe në këtë diskutim që kemi bërë sot, kemi rënë dakord që në disa prej takimeve periodike, ne do të ftojmë edhe drejtuesen e SHISH-it për të pasur informacion. Po ashtu kemi marrë vendimin që në Komisionin që vlerëson nevojën për siguri të prokurorëve apo gjyqtarëve, nuk do të jetë më një përfaqësues i Ministrit të Brendshëm apo një përfaqësues i Drejtorit të Përgjithshëm, por dotë jetë Ministri i Brendshëm dhe Drejtori i Përgjithshëm”.

“Çdo prokuror që e ndjen veten të rriskuar, qoftë fizikisht, personalisht, apo për familjarët, kanë të drejtë t’i drejtohen këtij komisioni”, tha kreu i KLP-së Alfred Balla.

Planet për eliminimin fizik të prokurores së SPAK, Musabelli, apo ish-prokurores së Lushjës, Selimi, u rrëfyen nga i penduari i drejtësisë, Artan Tafani. Sipas tij, sulmi ndaj tyre ishte kërkuar nga Laert Haxhiu, pasi Musabëlli kishte pasur në dorë çështjen ndaj dy miqve të tij, Orges Bilbili e Anterio Kaloshi, të dënuar me burg përjetë, ndërsa prokurorja Selimi, çështjen ndaj tij për “masakrën e Lushnjës” në vitin 2017 në këtë qytet. I penduari rrëfeu para hetuesve, se kishin ndjekur dhe bërë fotografi prokurores Musabelli dhe familjarëve të saj.  

(A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos