Ndryshon ligji për turizmin! Gjoba për ata që nuk regjistrojnë pronat në sistemin e tatimeve

Nga A2 CNN
3 Tetor 2023, 14:50 | Ekonomi
Ndryshon ligji për turizmin! Gjoba për ata që nuk

Nga dhomat e thjeshta private, tek apartamentet moderne, bashkë me shtëpitë tradicionale, bujtina, vilat e madje fermat… të gjitha këto struktura akomoduese që janë kthyer në bizneset fitimprurës veçanërisht 2 vitet e fundit për të pritur turistët, duhet të regjistrohen në sistemin e tatimeve.

Ndryshimet në “Ligjin për turizmin”, të hedhura për konsultim publik parashikojnë gjoba nga 20 mijë lekë e deri në 400 mijë lekë për ata që nuk deklarojnë dhe kategorizojnë pronën e tyre sipas madhësisë së saj.

 “Në Shqipëri janë mbi 7.400 subjekte që operojnë në platformat e dhënies me qira dhe më pak se gjysma e tyre janë të regjistruar me NIPT”, tha Zak Topuzi, kryetar i Shoqatës së Hoteleri-Turizmit.

Draft-ligji parashikon edhe përkufizime të posaçme se kur një njësi akomoduese është dhomë, apartament, vilë, bllok apartamentesh apo hotel.

 “Kjo bëhet si një mënyrë për të mbrojtur konkurrencën me strukturat hoteliere të cilat janë të gjitha të formalizuara”, shtoi.

Sipas ndryshimeve ligjore me gjoba nga 50 mijë deri në 100 mijë lekë do të ndëshkohen edhe zotëruesit e bujtinave me pesë apo më shumë dhoma që nuk i regjistrojnë dhe kategorizojnë ato.

 “Ky në fakt nuk është fenomen vetëm shqiptar. Në Francë gjithashtu po ka ndryshime ligjore me qëllim kufizimin e informalitetit në sektorin e turizmit”, tha Topuzi.

Më herët qeveria miratoi edhe ligjin i cili hyn në fuqi më 1 janar të vitit të ardhshëm i cili taton të ardhurat e individëve nga dhënia me qira e pronave në platformat AirBNB apo Booking. Si pasojë e informalitetit të lartë edhe të dhënat tregojnë se më pak se 20 për qind e të huajve që vizitojnë Shqipërinë akomodohen. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos