Zgjati vetëm pak orë arrestimi i Milan Radoiçiç. Ish-zv.kryetari i Listës Serbe, i cili pranoi përgjegjësinë për sulmin e armatosur në Banjskë të Zveçanit, u lirua nga një Gjykatë në Beograd, një ditë pas marrjes në pyetje.
Gjyqtari i procedurës paraprake refuzoi propozimin e Prokurorisë në Beograd për caktimin e masës së paraburgimit për Radoiçiç, pas intervistimit.
Me vendimin e 4 tetorit, Radoiçiçt i është ndaluar te largohet nga territori i Serbisë pa miratim të gjykatës dhe të shkojë në Kosovës. Sipas prokurorisë, ai dyshohet se “ka siguruar armë, municione dhe mjete shpërthyese me fuqi të madhe shkatërruese nga Tuzla, në Federatën e Bosnje dhe Hercegovinës, nga janari 2023 deri më 24 shtator”.
Autoritetet serbe, thanë se Radoiçiç, ish-zv.kryetar i Listës Serbe, dyshohet se bashkë me disa persona kanë kryer vepra penale të prodhimit, mbajtjes dhe trafikimit të armëve të zjarrit dhe lëndëve shpërthyese, si dhe vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme.
Ministria e Brendshme e Serbisë njoftoi më herët se kishte kontrolluar banesën dhe ambientet e tjera të Radoiçiçit. (A2 Televizion)
