
Seanca e kësaj të enjteje në Kuvend nisi me përplasje mes Lulzim Bashës dhe Gazment Bardhit për kreun e grupit parlamentar të demokratëve. Ndërkohë, Sali Berisha e zhvendosi vëmendjen te qëndrimet e kryeministrit Edi Rama për ngjarjet në veri të Kosovës. Ai i quajti deklaratat e Ramës si antishqiptare.
Sali Berisha u shpreh nga foltorja e Kuvendit dhe akuzoi Edi Ramën si antishqiptar për qëndrimet e tij pas ngjarjeve në veri të Kosovës.
“Sot, kryefjala e parlamentit duhet të jetë deklarata skandaloze se veriu i Kosovës është toka e askujt. Nuk ka deklaratë më antishqiptare, më të shpifur se kjo deklaratë. Pse e fali jetën Afrim Bunjaku? Ku u vra ai? U vra pikërisht në veri të Kosovës, që aty të sundojë ligji.
Çfarë mund t’i quash këtij “krim-ministër” të bëjë një deklaratë të tillë në sintoni të plotë me padronin e tij Aleksander Vuçiç dhe tani kërkojnë ta mbulojnë këtë me deklarata të turpshme”, tha Berisha.
Se kush është në krye të Partisë Demokratike është sërish temë e diskutimit në Kuvendin e Shqipërisë. Lulzim Basha ka hedhur akuza në drejtim të Kuvendit, sipas së cilit, nuk po i njeh vendimet e Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike të mbajtur prej tij.
“Sot është data 5 tetor, më 4 tetor ju keni bërë një njoftim të ardhur nga PD-ja, u bë një muaj që ky njoftim dhe vendimet e mëpasshme, injorohen dhe nëpërkëmben nga ana juaj, fakti është që ju nuk keni bërë publik asnjë vendim, merrni zvarrë përfaqësimin e PD-së duke vendosur sipas qejfit dhe dëshirës suaj, fshiheni pas një akti administrative, që nuk ju jep asnjë të drejtë që të vononi me 1 muaj vendimmarrjen përfundimtare. Sot flisni për vendime të grupit të PD-së, nuk ka vendime të grupit të PD-së, janë interpretime tuaja të njëanshme, i bëni këto sepse kështu e doni opozitën, e doni opozitën siç e doni ju, e doni ta bëni Shqipërinë si Kukësi, është detyra juaj të shpreheni pro Kushtetutës, pro ligjit për partitë politike dhe Kodit Zgjedhor, ose nëse keni vendosur në kulisat tuaja të errëta në aleancat e kullave dhe non gratave, dilni dhe thoni që jeni pjesë e asaj aleancë”, tha Basha. Ky fjalim pati fërshëllime nga ana e deputetëve demokratëve.
Nga foltorja e Kuvendit, Gazment Bardhi i është kundërpërgjigjur akuzave të Lulzim Bashës se ai dhe deputetët demokratë që e ndjekin janë bërë pjesë e aleancave të kullave dhe non gratave. Sipas Bardhit, vetëm në muajt e fundit, Basha ka marrë dy kate në një nga zonat më të shtrenjta në Tiranë, teksa e akuzoi këtë të fundit se i bën opozitë-opozitës dhe jo mazhorancës.
“Parafolësi, i vetmi që ka marrë dy kate në një kullë në një nga zonat më të shtrenjta të Tiranës. Dhe kur vjen këtu të akuzosh, numëro katet në kullat e Tiranës. Ja ku janë deputetët e PD-së. Je i vetmi në këtë sallë që je shpallur kryetar partie. Je ti dhe 3 që të vijnë nga pas. Nuk je opozitë. Je i rikthyer për të bërë opozitë me kolegët e tu pasi me mazhorancën nuk ta mban”, tha Bardhi. (A2 Televizion)