Pas publikimit të librit të zitë zgjedhjeve në anglisht, Rithemelimi i Partisë Demokratike prezantoi edhe versionin shqip të asaj që e quajnë farsa elektorale e 14 Majit 2023. Sali Berisha në konferencën javorë me median, deklaroi se të gjitha shkeljet që ka denoncuar Partia Demokratike pranohen edhe nga raporti i OSBE/ODIHR.
“Çështjet themelore që paraqiten në këtë libër, në respektin më të madh të mbrojtjes së votës së qytetarëve dhe dënimit të kriminelëve elektoralë, janë pasqyruar në raportin e OSBE/ODIHR”, u shpreh Berisha.
Sipas Berishës, edhe vëzhguesit ndërkombëtarë e kanë kuptuar se me Ramën nuk mund të ketë zgjedhje të lira. Një tjetër shembull e sjell nga zhvillimet e seancës së fundit, ku mazhoranca refuzon emrat me të cilët grupi parlamentar demokrat kërkon të përfaqësohet në Komisionin e Reformës Zgjedhore.
“Ky raport ka një mesazh për shqiptarët: me Edi Ramën nuk ka zgjedhje, por ka farsë. Akti i djeshëm në parlament përbënte atentatin më të shëmtuar të narkoshtetit ndaj pluralizmit parlamentar në 32 vite”, theksoi Berisha.
Kreu i Rithemelimit theksoi edhe njëherë se nuk do të bojkotojnë Parlamentin, por paralajmëron për destabilizim nëse opozita pengohet në ushtrimin e të drejtës së saj.
“Ne nuk do të njohim një akt që përjashton opozitën. Ne nuk mund të njohim kurrë një kryetar që e cakton Edi Rama. Por përgjegjësia do bjerë mbi ata që e çojnë vendin drejt destabilizimit. Nuk ka shqiptar, në 600 mijë shqiptarë që kanë votuar kundër qeverisë, nuk janë as 10 që mund të pranojnë se përfaqësuesin e tyre ta caktojë Edi Rama”, shtoi Berisha.
Berisha pohoi se të gjitha shkeljet që pretendojnë se kanë ndodhur gjatë procesit zgjedhor të 14 Majit u janë dërguar jo vetëm ndërkombëtarëve, por edhe SPAK-ut, por Prokuroria e Posaçme nuk ka vepruar, thekson ai. (A2 Televizion)
                                          
						                   
						                   
						                   
						                   
						                   
						                   
						                   
						                   
						                   