Policia e Korçës ka identifikuar dhe arrestuar dy nga 3 autorët e plagosjes me sende të forta të një 14-vjeçari mbrëmjen e së dielës, i cili ende ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore pasi ka pësuar dëmtime në kafkë.
Pas hetimeve të detajuara dhe pyetjes së dëshmitarëve, efektivët e policisë arritën të arrestojnë për këtë ngjarje të rëndë shtetasit A. E., 17 vjeç dhe Dh. F., 15 vjeç, teksa është shpallur në kërkim L. L., 16 vjeç.
3 të rinjtë në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë goditur me sende të forta 14-vjeçarin, i cili aktualisht ndodhet në spitalin e Traumës në Tiranë, në kujdesin e mjekëve.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan tre shkopinj të cilët dyshohet të jenë përdorur nga autorët e ngjarjes, gjatë konfliktit.
Sipas të dhënave paraprake, të rinjtë ishin konfliktuar më herët me njëri-tjetrin, në një debat që kishte nisur në rrjetet sociale, e më pas degradoi në përleshje. (A2 Televizion)