Mbledhja e gjyqtarëve, kreu i Gjykatës së Lartë: Punoni për ta bërë sistemin të besueshëm

Nga A2 CNN
9 Tetor 2023, 10:40 | Aktualitet
Mbledhja e gjyqtarëve, kreu i Gjykatës së Lartë: Punoni

Kreu i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, nga konferenca e gjyqtarëve të Shqipërisë kërkoi nga gjyqtarët që të punojnë për ta bërë sistemin gjyqësor të besueshëm. Në fjalën e tij, ai pohoi se nëse arrihet kjo, gjyqtarët kanë kryer jo vetëm misionin juridik, por edhe atë njerëzor.

“Përpiquni maksimalisht ta bëni edhe ju sistemin gjyqësor të besueshëm, profesional dhe me integritet. Nëse e përmbushni ashtu siç duhet këtë funksion kushtetues që do ju jepet, nëpërmjet votës së kolegëve tuaj, jemi të bindur se kur të riktheheni në detyrën si gjyqtarë do të mund të thoni me krenari se kontribuat sa mundët dhe latë gjurmë me emrin dhe punën tuaj. Nëse e bëni këtë, keni realizuar dhe detyrën tuaj si qytetarë evropianë të këtij vendi. Nëse nuk arrini ta përmbushni detyrën që ju ngarkohet, kjo nuk është thjesht çështja juaj, sepse më e rëndë mbetet përgjegjësia jonë që nuk ditëm të bëjmë zgjedhjen e duhur. Prandaj, vlerësoni maksimalisht këtë besim që po ju japim sot nëpërmjet zgjedhjes tuaj. I uroj suksese Mbledhjes së Përgjithshme të Gjyqtarëve në këtë proces kaq të rëndësishëm për të përzgjedhur ata që shpresojmë të na nderojnë!”. 

Sokol Sadushi, kreu i Gjykatës së Lartë

Gjyqtarët e të gjitha shkallëve të gjykimit zgjedhin sot tre përfaqësues të rinj në Këshillin e Lartë Gjyqësor. Tre anëtarët e rinj do të zëvendësojnë tre prej anëtarëve që iu përfundon mandati, Brikena Ukperaj nga Gjykata e Apelit dhe Dritan Hallunaj e Marçela Shehu nga Shkalla e Parë.

Kandidatët që do të votohen nga kolegët janë Emona Muçi e Irida Kacerja nga Apeli i Juridiksionit të Përgjithshëm dhe Alma Kodraliu, Gentiana Muçaj e Markelian Koça nga gjykatat e Shkallës së Parë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos