Mëngjeset në zonën e Bashkisë së Maliqit janë kthyer në shqetësim për banorët, të cilët nuk po munden të mbushen me ajër, pasi ajri është i ndotur nga djegia e arave bujqësore.
Ndotjen, nga djegia e përzjerë edhe me mjegull, e bën akoma më të rëndë. Nxënësit e shkollave detyrohen të zënë hundët, ndërsa banorët shprehen se po përdorin maska për të dalë nga banesat, si në kohën e pandemisë.
Aroma e rëndë vjen edhe për shkak se arat e djegura i përkasin tokave që janë përfituar nga ish-këneta e Maliqit, toka të cilat kur digjen vijojnë ta mbajnë nxehtësinë edhe ditë pas fikjes së zjarreve. Edhe pse djegia e arave për qëllime bujqësore është e ndaluar me ligj nga prilli deri në nëntor, sërish ky fenomen nuk ndalet. Dhe çuditërisht edhe drejtuesit lokalë nuk identifikojnë dot autorët.
Në të tilla kushte, shpresa e këtyre banorëve dhe e drejtuesve është fillimi i reshjeve. Bashkia e Maliqit gjysmën e tokave bujqësore e ka të përfituar nga tharja e ish-kënetës dhe nëse nuk merren masa, banorët e zonës rrezikojnë seriozisht shëndetin e tyre. (A2 Televizion)
                                          
						                   
						                   
						                   
						                   
						                   
						                   
						                   
						                   
						                   
						                   