Kanë detin pranë por nuk mund ta shijojnë, madje as nuk mund ta shohin nga afër. Personat me aftësi të kufizuara para dhe tetraplegjikë në Vlorë janë të kufizuar që të lëvizin apo të marrin shërbimet që u nevojiten. Disa prej tyre kanë shënuar me kryqe të kuq trotuaret në Lungomare, ku duhej të kishte të paktën një rampë që t’u mundësohej kalimi edhe i kësaj shtrese të shoqërisë.
Por pengesat nuk i kanë vetëm në ambiente publike. Edhe në institucionet publike ato nuk mund të kenë akses pa u ndihmuar nga persona të tjerë, Madje kryetari i Shoqatës së para dhe tetraplegjikëve të Vlorës shprehet se nuk ka patur mundësi as të shkojë të votojë për 4 kg çimento që është kostoja e një rampe.
Punësimi është një tjetër handikap i kësaj shtrese të shoqërisë. Edhe pse ligji parashikon që një në 25 punonjës qoftë në sektorin privat, apo shtetëror duhet të jetë pjesë e këtij komuniteti, në Vlorë rezulton i punësuar vetëm një person më aftësi të kufizuara nga 400 që numëron kjo shoqatë.
Edhe për këtë shtresë premtimet nga deputetët dhe drejtuesit lokal nuk kanë munguar, por përveçse në letra, lehtësirat për këto persona në realitet nuk janë të dukshme. (A2 Televizion)
                                          
						                   
						                   
						                   
						                   
						                   
						                   
						                   
						                   
						                   
						                   