Producentja e zhvillimeve ndërkombëtare në A2 CNN, Rosalba Bejdo zhvilloi një bisedë me ambasadoren e Izraelit në Shqipëri, Galit Peleg.
Ndër të tjera në këtë intervistë, ajo akuzon Iranin për sulmin vdekjeprurës të 7 tetorit, që siç thotë është i ngjashëm me krimet e nazistëve gjatë holokaustit.
Ambasadorja thotë se Izraeli po përpiqet t’i shmangë viktimat civile në Gaza, ndërsa i bën thirrje Shqipërisë të shpallë Hamasin si organizatë terroriste.
“Ne nuk e prisnim. Kur them se nuk e prisnim, nuk i referohem vetëm faktit se sulmi erdhi surprizë. Por ne, asnjëherë nuk kemi dëshmuar një sulm të tillë kaq brutal e mizor, madje edhe nga terroristët që ne e dimë se janë mizorë. Ne kemi përjetuar gjatë 30 viteve të fundit, shpërthime në autobusë, në restorante, jemi goditur nga bomba në vende me shumë njerëz dhe gjithashtu jemi sulmuar shpesh me raketa gjatë 15 viteve. Por ajo që ndodhi këtë të shtunë ishte një masakër, dhe ishte një masakër jo vetëm për sa i përket numrit të viktimave. Ata shkuan te njerëzit, në shtëpitë e tyre, në vendin më të sigurt që do të mendonit dhe i masakruan. Ata masakruan foshnjat. Ata masakruan gra dhe burra të moshuar. Ata nuk u interesuan për askënd, askënd. Ishin si robotë të çmendur. Ata vendosën bebe, dy, tre vjeçare, nëpër kafaze dhe i vështronin duke qeshur. Bënë gjëra të tmerrshme , të cilat duhet të jesh çnjerëzor për t’i menduar.” (A2 Televizion)
