Mesazhet e tifozëve kuqezi, Berisha: Arena kombëtare i dha përgjigje përçarësit të kombit

Nga A2 CNN
13 Tetor 2023, 13:32 | Politikë
Mesazhet e tifozëve kuqezi, Berisha: Arena kombëtare i dha

Suksesi i Kombëtares Kuqezi përballë Çekisë, mori përgëzimet e Sali Berishës, që përtej emocioneve sportive, i bëri edhe një lexim politik zhvillimeve në fushë dhe shkallëve të stadiumit.

Krenaria që krijoi ekipi ishte po aq domethënëse sa ndëshkimi që sipas Berishës iu bë Edi Ramës, të cilin e përkufizon si përçarës të Kombit.

 “…i cili nxinte sterrë. Ju jeni dëshmitarë se si rrinte si në gjemba. Si tiran, pa duartrokitur njëherë ekipin. Sepse shihte ato. Përçarësi i kombit”.

Berisha i referohet pamjeve në të cilat Edi Rama dhe homologu i tij i Kosovës, Albin Kurti, ndiqnin ndeshjen të ndarë në dy kate të ndryshme të së njëjtës tribunë, ndërsa tifozeria kuqezi e përcillte mesazhe kundër përçarjes.

 “Se ç’ndodhi më pas mes tij dhe Dukës, atë jeni gazetarë dhe investigojeni, por unë them se ajo ishte përgjigjja më e merituar që i dhanë një përçarësi, që edhe ditën e ndeshjes, në prag të samitit të Procesit të Berlinit, shfrytëzoi parlamentin për një fjalim koprolalik, kundër udhëheqjes politike të Kosovës”.

Konferenca për shtyp e kreut të Rithemelimit nuk solli asgjë të re në qëndrime sa i përket zhvillimeve të brendshme politike.

Berisha përsëriti denoncimin për komandim të opozitës sipas orekseve të Kryeministrit, por nuk tregon ç’do të bëjë përballë kësaj situate.

 “Është i gatshëm të përdorë pseudo opozitën për qëllimet e veta dhe është i vendosur të bëjë gjithçka për një sistem qeverisje të bazuar mbi bandat, drogën dhe krimin. […] Ajo çka fakton dita e djeshme, fakton se Rama dhe pluralizmi janë të papajtueshëm, se Edi Rama nuk pajtohet me pluralizmin politik të vërtetë në Shqipëri”.

Edhe thirrja për një lëvizje mbarë popullore kundër regjimit, siç e quan ai, ishte e përsëritur, por garantoi se nuk do të ketë protestë të opozitës të hënën e 16 Tetorit, kur në Tiranë do të mbërrijnë krerët e vendeve dhe institucioneve të BE-së, në kuadër të Procesit të Berlinit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos